Pensionistët dhe shtesat e tjera në nevojë mund të marrin një tjetër bonus, veç këtij që ka nisur të shpërndahet për festat e fund vitit. Lajmin e dha ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, duke paralajmëruar kështu një tjetër rishikim të buxhetit aktual.
“Jemi në diskutim për një paketë tjetër mbështetjeje për shtresat vulnerabël brenda këtij viti, ashtu siç jemi të angazhuar në një diskutim të thelluar si mes nesh ashtu edhe me partnerët, Bankën Botërore dhe FMN për një reformë të pensioneve dhe të shtyllave të mbrojtjes sociale në tërësi.”, tha Ervin Mete, ministër i Financave dhe Ekonomisë.
Nga paneli dedikuar diskutimeve mbi investimet publike, turizmin, kulturën dhe bujqësinë më kongresin e socialistëve ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi nisjen e zbatimit të një projekti që do ta kthente Shqipërinë në një vend eksportues neto të energjisë.
“Para pak ditësh kemi rënë dakord me qeverinë italiane dhe operatorët e transmetimit, duke përfshirë një nga partnerët ekonomikë më të rëndësishëm, Emiratet e Bashkuara Arabe, janë vendosur të jenë pjesë, projekti energjetik më i rëndësishëm për dekadën e ardhshme, ndërtimin e linjës së transmetimit të linjës nënujore mes Shqipërisë dhe Italisë.”, tha Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Tek Bujqësia fondet e IPARD mbeten të bllokuara nga Bashkimi Europian. Ndërkohë ministrja Anila Denaj tregoi edhe se kur do të nisë shpërndarja e naftës pa taksa për fermerët.
“Javës që vjen disbursohen fondet e fundit për skemën e naftës, ku për herë të parë këtë vit 65 mijë fermerë dhe bujq që kanë aplikuar e marrin të plotë skemën. Objektivi i radhës, sipas ministres, është një skemë që kalon fragmentarizimin.”, tha Anila Denaj, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përditësoi shifrat e të huajve që kanë hyrë në vend deri në fundin e muajit të shkuar.
“9.53 milionë është shifra e turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë deri në prag të fundvitit. Muaji nëntor ka shënuar një shifër prej 547221 hyrjesh të vizitorëve të huaj, një rritje e ndjeshme (53%) më shumë krahasuar me nëntorin e një viti më parë çka konfirmon trendet e shtuara për ta vizituar Shqipërinë në të gjithë muajt e vitit, një tregues pozitiv i rritjes së turizmit gjithëvjetor.”, u shpreh Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit. (A2 Televizion)