“Ata e shohin zjarrin si mjet politik, ne ndezim flakën e shpresës për Shqipërinë e dekadës tjetër”. Me këto fjalë iu drejtua Kongresit të jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Duke krahasuar opozitën me mazhorancën, ajo tha se filozofia që i ndan është që suksesi është i përbashkët, kurse përgjegjësia është individuale.
“Filozofia jonë ështëë një dhe e pandryshueshme; ne besojmë se suksesin duhet ta ndajmë me të gjithë dhe përgjegjësitë janë individuale. Ky është dallimi me kundërshtarët tanë që me parlamentin sillen si piromanë ose e bojkotojnë ose e djegin. Dhe një nga shkaqet kryesore, ne nuk na ndan barrikada e karrigeve që ata përmbysin, por janë zgjedhjet e ndryshme që na ndajnë. Ata ndezin zjarre, ne ndërtojmë duke shuar zjarrvënien e tyre, ne jemi institucion lirie, ata instrument i marrjes peng të lirisë. Ne jemi bashkë në një sallë parlamenti, por jemi vite drite larg dhe lart atyre që po i tmerron ankthi e frika për orët e së vërtetës. Të paaftë të shndërrohen në alternativë. Filozofia e tyre shkon në kah të kundërt me atë të shqiptarëve. E kurdisin akrepin e tyre me vitin ‘97. Ankthin e tyre për ndëshkim kërkojnë t’ia imponojnë shoqërisë shqiptare. Ata ndjellin kob e mort, ne fitojmë për festën e punës. Ata kanë humbur dhe shpresën vetjake”.
Dhe duke vijuar krahasimin me opozitën, ajo tha se PS-ja është këmbëngulëse dhe e lirë në vetëkorrigjim.
“Ky kongres i jashtëzakonshëm është pjesë e përpjekjeve tona për të qenë katalizator i ndryshimit e vetëkorrigjimit. Ndryshe nga ata e kemi lirinë për të ndryshuar e korrigjuar për të mësuar nga gabimet tona. Asnjë lider tjetër si Rama dhe asnjë organizatë tjetër si PS-ja nuk është treguar kaq e aftë e këmbëngulëse në praktikën e vetëkorrigjimit”.
Dhe në këtë kontekst, Spiropali foli për reformim të vazhdueshëm në parti, qeveri e administratë.
“Sfida jonë është tërësi betejash të përditshme. Kjo kërkon reformimin tonë të vazhdueshme në parti, qeveri e administratë. Një proces siç ka ndodhur dje dhe duhet të ndodhë edhe nesër. Asgjë nuk është e pandryshueshme dhe fitoret tona politike nuk janë të paracaktuar se kundërshtarët dinë vetëm të humbasin. Suksesi ynë është mjet për të çuar para punët e mbara që po bëjmë për të shmangur vetëkënaqësinë dhe për të luftuar me abuzuesin me pushtetin, me çdo mjet e çdo vend edhe brenda nesh në administratë e kudo duke i hapur rrugë demokracisë, garës, votës, kontrollit, meritokracisë e kolegjialitetit”.
Sipas saj, gjithçka nis nga drejtësia dhe theksoi se PS-ja e ka treguar qartë qëndrimin me projektin e reformës në drejtësi.
“Gjykata e Strasburgut shkroi një vendim për 21 janarin, atë vendim që PS-ja e ka dhënë si gjuhë politike në një dekadë; Pushkatim pa gjyq të 4 protestuesve në bulevard, shteti i përfshirë në krim. Ky është vendimi i Strasburgut. Mjaft të shihet qëndrimi i dy poleve ndaj drejtësisë për të kuptuar sepse ne jemi në punë dhe ata janë shndërruar në shkopinj në rrota në Shqipërinë e punës. Reforma në drejtësi është një nga projektet më madhore që kemi ndërmarrë, i një pushteti të pavarur për të krijuar kontrollin dhe ekuilibrin e dy pushteteve.” (A2 Televizion)