“Të jetë monopol i shtetit”, socialistët kërkojnë një ligj të ri për bastet sportive

Nga Marjo Brakaj
7 Dhjetor 2023, 18:37 | Ekonomi

Socialistët kërkojnë një ligj të ri për bastet sportive. “Sado rregullime të kryhen janë të pamjaftueshme për ta bërë atë të plotë, integral e modern”, argumentoi deputeti e njëherazi kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Eduart Shalsi.

“Unë ia kam transmetuar edhe ministrit dhe kemi rënë dakord në parim. Duhet ngritur një grup pune, i cili është i domosdoshëm për të adresuar problematikat kryesore të ngritura”, shtoi Shalsi.

Në mungesë të opozitës, deputetët e mazhorancës u ankuan se ligji i ndryshuar më herët këtë vit ka shumë mangësi në disa fusha, si kontrolli i basteve online, monitorimi i platformave dhe menaxhimi i tyre nga shteti, jo nga sektori privat.

“Kemi kazino fizike, por ligji nuk parashikon kazinotë online. Ka një treg kazinosh online ilegal. Nuk kemi marrë përgjigje se pse janë përjashtuar kazinotë online. Nëse kazinotë online përbëjnë konkurrencë për kazinotë fizike, nuk përbën argument për të mos u ngritur. Nëse ka kazino online që zhvillohet ilegalisht duhen gjetur instrumentet për ta formalizuar. Na intereson të disiplinojmë aktivitetet dhe të gjenerojmë të ardhura që shkojnë për të financuar projekte”, deklaroi Shalsi.

Deputeti socialist, Erion Braçe, propozoi që lojërat e fatit të jenë monopol i shtetit dhe jo i privatit, duke shprehur që ky projektligj nuk kontrollon tregun dhe e lë atë në dorën e krimit: “Ajo që propozohet është ta hapim. Unë mendoj se kemi bërë shumë mirë që i mbyllëm bastet. Ajo që nuk kemi bërë mirë është lufta kundër aktivitetit në të gjithë vendin. Duke e mbyllur këtë lloj aktiviteti, i dhamë dorë jo vetëm krimit të organizuar, por edhe punonjësve të policisë. Kjo ka bërë që të mos luftohet aktiviteti në të zi”.

Ndryshimet në projektligjin për lojërat e fatit parashikojnë rikthimin e basteve sportive vetëm online, dhënien e së drejtës për ta ushtruar këtë aktivitet vetëm për 10 operatorë dhe përzgjedhja e tyre nëpërmjet një komisioni të veçantë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos