Ekonomia që nuk po ndryshon, Civici: Nevojë për rimodelim për të ndërtuar bazat për brezat e ardhshëm

Nga Marjo Brakaj
10 Korrik 2024, 15:17 | Ekonomi

Qymyr, krom, bujqësi, fason, Call Center e së fundmi ndërtim e shitblerje pronash. Në dekadën e katërt të tranzicionit, ekonomia shqiptare po rezulton e paaftë për të përmirësuar e aq më pak për të ndryshuar veten. Së paku në tre dekadat e fundit ekonomia ka ecur në të njëjtat shina, duke kopjuar veten ndërsa politikat e ndërmarra kanë tentuar kryesisht përfitime afatshkurtra. Por sot vendi ka nevojë për hapa konkretë vlerëson akademiku Adrian Civici drejt modelimit të ekonomisë që ndërton bazën e duhur për brezat e ardhshëm.

“Në thelb, ajo që Banka Botërore dhe jo vetëm i kanë rekomanduar vazhdimisht Shqipërisë është ndryshimi i modelit nga një model i bazuar kryesisht te importet dhe konsumi për të shkuar te një model i bazuar te prodhimi dhe eksportet”, tha Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

Për ekspertin e ekonomisë Civici, rimodelimi i ekonomisë kombëtare lejon që secili kapital të ketë një rol më të veçantë brenda kornizës së kontributit të tij në rritjen ekonomike. Kjo me kushtin që vendi të largohet nga e vjetra e prapambetur dhe të orientohet te e reja e përparuar që prodhon.

Ekonomia që nuk po ndryshon, Civici: Nevojë për rimodelim

“Ne kemi nevojë për një politikë shumë më aktive shumë më aktive të industrializimit të vendit, sigurisht brenda përmasave dhe mundësive që lejon qoftë Shqipëria dhe tregu më rajonal ku ne mund të jemi më prezent. Pa folur për pastaj edhe për industrinë financiare e bankare apo shërbimet informatike, IT apo me sektorë të tjerë të digjitalizuar”, theksoi Civici.

Shqipëria duhet të zhvillojë një ekonomi që prodhon pasuri dhe mirëqenie për të gjithë, lehtëson pabarazinë, promovon konkurrencën dhe punon në një mjedis të shëndetshëm biznesi. Po që kjo të arrihet, politikat qeveritare dhe biznesi duhet ta vlerësojnë edhe më shumë individin, si kapitalin më të çmuar në një shoqëri.

“Në këndvështrimin e cilësisë së burimeve njerëzore, kjo natyrisht është shumë e rëndësishme, Sot cilësia dhe kualifikimi apo standardet e përgatitjen profesionale të individit janë bërë faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e disa sektorëve.”

Të dhënat nga Instituti i Statistikave treguan se ekonomia shqiptare në tremujorin e parë u rrite më shpejt se një vit më parë, por cilësia e zgjerimit të saj u përkeqësua. Gati gjysma e zgjerimit të  Prodhimit të Brendshëm Bruto erdhi nga ndërtimi dhe shitblerja e pronave, ndërsa dy sektorët më të rëndësishëm të punësimit, bujqësia dhe manifaktura vijuan tkurrjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos