Euro bie, çmimet rriten. Ekspertët ngrenë dyshime për konkurrencën: Monitorim

Nga Marjo Brakaj
30 Korrik 2026, 15:43 | Ekonomi

Nga karburantet te drithërat, zarzavatet e deri te ushqimet e paketuara, sa herë që bizneset përballen me rritje kostosh, efekti reflektohet pothuajse menjëherë në çmimet që paguajnë konsumatorët. Por kur kostot ulen, i njëjti reflektim shpesh mungon. Një nga shembujt më të qartë është forcimi i lekut, i cili nuk është përkthyer në ulje të ndjeshme të çmimeve të mallrave të importuara.

“Forcimi i monedhës vendase duhet të krijojë hapësira për rishikimin e çmimeve, sidomos për produktet e importit. Kur kjo nuk ndodh, lind nevoja për të analizuar nëse tregu funksionon me konkurrencë të mjaftueshme apo nëse marzhet e fitimit po zgjerohen përtej asaj që diktojnë kostot reale”, thotë për A2 CNN Adrian Civici, pedagog ekonomie.

“Në një treg konkurrues, bizneset detyrohen të reflektojnë edhe uljen e kostove, sepse përndryshe humbasin klientët. Kur çmimet mbeten të pandryshuara pavarësisht lehtësimit të kostove, kjo tregon se mekanizmat e konkurrencës nuk po funksionojnë me efikasitetin e duhur”, thotë Klodian Muço, pedagog ekonomie.

Ekspertët vlerësojnë se Shqipëria ende nuk ka instrumente të mjaftueshme për të parandaluar shtrembërimet në formimin e çmimeve. Përtej rolit të Autoritetit të Konkurrencës, kërkohet një monitorim më aktiv i tregjeve dhe më shumë transparencë për mënyrën se si përcaktohen çmimet nga importi deri te shitja me pakicë.

“Institucionet nuk duhet të kufizohen vetëm në konstatimin e fenomenit. Nevojitet një analizë e vazhdueshme e sektorëve ku konkurrenca është e dobët dhe, kur evidentohen praktika të padrejta, të ndërhyhet me instrumentet që parashikon ligji për të mbrojtur konsumatorin”, thotë Civici.

“Sa më transparent të jetë tregu dhe sa më e fortë konkurrenca, aq më e vështirë bëhet mbajtja artificiale e çmimeve në nivele të larta. Për këtë arsye, institucionet duhet të krijojnë kushte që tregu të vetërregullohet përmes konkurrencës dhe jo të dominohet nga pak operatorë”, thotë Muço.

Pavarësisht pasigurive të krijuara nga zhvillimet gjeopolitike dhe tensionet në tregjet ndërkombëtare gjatë këtij viti, ekspertët vlerësojnë se konsumatorët shqiptarë duhej të kishin përfituar më shumë nga efekti pozitiv i forcimit të lekut, veçanërisht për produktet që varen nga importi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos