KLSH kërkon rritje buxheti në 885 milionë lekë për vitin 2026, planifikon godinë të re dhe më shumë auditime

Nga Marjo Brakaj
13 Nëntor 2025, 13:09 | Ekonomi

KLSH kërkon rritje buxheti në 885 milionë lekë për

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) paraqiti sot, në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, projektbuxhetin për vitin 2026, i cili synon të mbështesë me burime të mjaftueshme rolin auditues të institucionit.

Përfaqësuesja e KLSH-së, Alketa Kalleshi, bëri të ditur sot se projektbuxheti parashikon një fond total prej 885 milionë lekësh, të ndarë në tre zëra kryesorë: paga dhe sigurime, shpenzime për mallra e shërbime, si dhe shpenzime kapitale në vlerën 91,6 milionë lekë.

Sipas Kalleshit, për vitin 2026 KLSH ka kërkuar rritjen e numrit të punonjësve në 253, ose 10 më shumë se organika aktuale. “Kërkesa jonë për shtimin e personelit mbështetet në rritjen e kërkesave nga Kuvendi dhe nevojën për më shumë auditime në fusha me ndjeshmëri të lartë publike, sidomos në kuadër të integrimit evropian”, tha ajo.

Në zërin e mallrave dhe shërbimeve, KLSH ka kërkuar një fond prej 117,3 milionë lekësh, rreth 44,6 milionë lekë më shumë se një vit më parë, për të mbuluar nevojat shtesë që lidhen me auditimet dhe organizimin e një eventi ndërkombëtar në vitin 2026, shkruan A2 CNN.

Ndërsa për shpenzimet kapitale, institucioni ka kërkuar 91,6 milionë lekë, me një rritje prej 60 milionë lekësh krahasuar me vitin 2025. Kjo shumë do të përdoret për investimin në ndërtimin e një godine të re në ish-parkun e automjeteve të KLSH-së, si dhe për teknologji dhe rehabilitim infrastrukture, me një fond prej 31,6 milionë lekësh.

Në total, krahasuar me buxhetin prej 694 milionë lekësh të vitit 2025, KLSH parashikon një rritje prej 13%, duke e çuar fondin për vitin 2026 në 885 milionë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos