Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkon ndryshime në paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Kryetari i saj Nikolin Jaka argumentoi se skema e kompensimit të TVSH-së 10 për qind në bujqësi nuk është zgjidhje për fermerët, ndërkohë që të ulet TVSH-ja edhe për produktet ushqimore nga 20 për qind në deri 7 për qind..
"Kemi kërkuar uljen e TVSH-së për industrinë prodhuese dhe agroushqimore. Tvsh-ja për produktet ushqimore të jetë 5-7%. Të hiqet TVSH-ja për investimet doganore. Të përjashtohen nga tarifat doganore lëndët e para për industrinë prodhuese. Rimbursimin e akcizës së gazit dhe lëndëve djegëse që përdor industria prodhuese. Sipërmarrja prodhuese e ka një kosto të jashtëzakonshme akcizën”, thekson Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.
Pasi e konsideroi si të mirëpritur nismën, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkon që “Paqja Fiskale me Biznesin” të zbatohet vetëm një herë dhe në mënyrë të drejtë.
“Ndërkohë që ajo çfarë ne kërkojmë me forcë është që të mundësojmë edhe hartimin strategjike për luftën kundër informalitetit. Paqja fiskale është e mirëpritur. Duhet parë me kujdes mënyra sesi do të aplikohet që të mos dekurajohet pjesa e ndershme e ekonomisë”, thotë Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.
Nga forumi i biznesit, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj tregoi edhe mbi përparësitë që institucioni që ai drejton do të ketë vitin e ardhshëm.
“Prioritetet tona janë zbatimi i paqes fiskale, rimbursimi i TVSh-së për fermerët dhe ulja e barrës administrative për bizneset. Po punojmë që procedurat të jenë më të thjeshta, më të shpejta dhe më transparente, në mënyrë që tatimpaguesit të kenë më pak kosto dhe më shumë siguri në marrëdhënien me administratën. Objektivi ynë është të krijojmë një sistem që i shërben ekonomisë, nxit formalizimin dhe mbështet investimet”, shprehet për A2 CNN, Ilir Binaj, Drejtor i Përgjithshëm i DPT-së.
Pas dritës jeshile në seancën maratonë të 19 nëntorit, paketa fiskale bashkë me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm do të kalojë për shqyrtim nen për nen dhe në tërësi më 11 dhjetor. (A2 Televizion)
