Pemë, drita, fishekzjarrë e të tjera zbukurime.... qytetet po bëhen gati për festat e fund-vitit. Bashkitë kanë hapur një sërë procedurash tenderuese për blerjen e dekoreve. Plotë 12.5 milionë lekë apo mbi 125 mijë euro ka vënë në dispozicion Durrësi për të zbukuruar qytetin për Krishtlindje dhe Vitin e Ri.
Më shumë se 11.7 milionë lekë apo 117 mijë euro planifikon të shpenzojë Kolonja, ndërsa Fieri ka vënë në dispozicion rreth 9.5 milionë lekë.

Tender për blerjet e zbukurimeve për këtë fundviti kanë hapur edhe Bashkia Sarandë dhe Korçë me buxhete përkatësisht 5.2 dhe 5.9 milionë lekë.
Bashki të tjera që kanë lëshuar dorën në shpenzimet për dekorin e fundvitit janë dhe Himara me 2.5 milionë lekë, Lezha 2.4 milionë lekë, Dibra 1.6 milionë lekë. Ndërsa bashkitë që shpenzojnë më pak apo përdorin dhe dekoret e viteve më parë janë Shijaku dhe Vlora.

Pak pasi Gjykata Kushtetuese e la në detyrën e kryebashkiakut të Tiranës, urdhri i parë i Erion Veliajt ishte pikërisht dekorimi i qytetit për festat e fund-vitit (printscreen)
Në dokumentin dërguar Ndërmarrjes së Dekorit dhe Eventeve, që mban firmën e Veliajt, thuhet se duhet të merren masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike.
E stolisur me atmosferën festive, duke nisur nga instalacionet e vendosura në tokë por edhe në bulevardet kryesore, e deri te pemët gjigande dhe fishekzjarrët, Bashkia Tiranë për kryeqytetin shpenzoi 25 milionë lekë fund-vitin e shkuar.
(A2 Televizion)
