Nga Tirana drejt botës, panairi ndërkombëtar Klik Ekspo Group hap kapitullin e 31

Nga Marjo Brakaj
6 Nëntor 2025, 15:07 | Ekonomi

Me një ceremoni solemne dhe një atmosferë festive, u hap Panairi Ndërkombëtar i Tiranës – Edicioni i 31-të, një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike në Shqipëri dhe rajon, që këtë vit vjen nën moton WindoWs into the Future”, duke sjellë një eksperiencë të re ekspozuese që përkon me vizionin strategjik “Shqipëria 2030”.

Ky event i cili  ka bërë bashkë 250 kompani vendase dhe të huaja, por dhe institucione publike, investitorë dhe profesionistë nga fusha të ndryshme të ekonomisë, do të qëndrojë i hapur deri më 8 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ministra të qeverisë, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, ambasadorë, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe kompanive vendase dhe ndërkombëtare.

31 vite panair

Fjala e mirëseardhjes u mbajt nga Menaxheri i Përgjithshëm i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës z.Luel Muhametaj, i cili ndërsa u ndal në rrugëtimin e Klik Ekspo Group ndër vite, theksoi se që në edicionin e parë të tij ky panair tregoi, se nuk kishte të bënte vetëm me tregtinë, por kishte të bënte me besimin, me hapjen e dyerve të Shqipërisë ndaj botës, dhe të dyerve të botës ndaj Shqipërisë.

"Ky edicion i 31-të nuk është vetëm një gur kilometrik — është një pikë kthese. Këtë vit, mirëpresim mbi 250 institucione dhe kompani udhëheqëse — novatorë, ndërtues dhe mendimtarë — të gjithë të mbledhur nën një çati, të gjithë duke kontribuar në historinë e Shqipërisë 2030. Konferencat tona këtë vit janë konceptuar me qëllim: të tregojnë vizionin afatgjatë të Shqipërisë, të përshkruajnë strategjitë që do të na udhëheqin deri atje, dhe të prezantojnë projektet transformuese që, nga mega-infrastruktura dhe energjia e rinovueshme, te transformimi digjital, turizmi dhe bujqësia. Ky model jo vetëm që do të nxisë rritjen e fokusuar sipas sektorëve, por do të ndezë bashkëpunimin ndër-sektorial — aty ku bujqësia takon inovacionin, ku energjia fuqizon qëndrueshmërinë, dhe ku kultura frymëzon tregtinë — duke krijuar një dialog të gjallë midis traditës dhe teknologjisë”, u shpreh në fjalën e tij përshëndetëse z.Luel Muhametaj.

Klik dëshmi e transformimit ekonomik

Delina Ibrahimaj, ministe e Ekonomisë dhe Inovacionit e pranishme në ceremoninë e hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, vlerësoi punën e bërë nga Klik Ekspo Group në 31 vite si organizatore e këtij panairi, që sipas saj është një dëshmitare e transformimit rrënjësor të ekonomisë shqiptare në këto tre dekada.

"Më vjen mirë që sot me gjithë eksperiencën tuaj të keni arritur të sillni bashkë 250 kompani të prezantuara në forma të ndryshme. Koncepti që ju prezantoni sot nuk është më një panair i thjeshtë por një prezantim i vizionit të Shqipërisë 2030. Shqipëria nuk është më ajo e viteve 90-të, por një tjetër vend me potenciale dhe mundësi pa fund për shumë sektorë të ekonomisë, një Shqipëri që krijon një klimë biznesi atraktive për gjithë sipërmarrjet e rajonit dhe më gjerë, që po tërheq investitorë të huaj në fusha strategjike në turizëm, energji, inovacion. Ne jemi munduar që të hartojmë baza ligjore tërheqëse në këtë drejtim për ta bërë vendin një lider në rajon", theksoi ministrja Ibrahimaj mes të tjerash.

Pavijoni ‘’Windows into the Future”

Klik Ekspo Group, në rolin e saj si organizatore e këtij eventi madhor, ka theksuar se TIF 2025 nuk është vetëm një panair, por një platformë e hapur për bashkëpunim dhe vizion, ku do të prezantohen ide, teknologji dhe projekte që kanë potencialin të ndryshojnë mënyrën si ndërtohet e ardhmja. Në qendër të edicionit do të qëndrojë pavijoni “Windows into the Future”, një instalim konceptual i ndërtuar mbi idenë e “dritares” si simbol i hapjes dhe vizionit përpara.

Pavijoni do të bashkojë katër institucione dhe kompani kryesore, të cilat po formësojnë të ardhmen e vendit në fusha strategjike si infrastruktura, energjia, inovacioni dhe arsimi. Çdo “dritare” e këtij pavijoni do të përfaqësojë një sektor që po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e Shqipërisë së së nesërmes. Këtë koncept e vlerësoi në fjalën e saj edhe Laura Saro, drejtore ekzekutive i AIDA-s, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.

"Këtë vit me temën ‘Wiindows in into the future’’, Shqipëria 2030, na ftoni ta imagjinojmë të ardhmen jo më si një horizon i largët por si një ftesë për ta ndërtuar së bashku me ide, ambicie, kreativitet, dhe bashkëpunim. Nëse do të hapni një dritare të vogël drejt 2030-ës do të shini një Shqipëri që eksporton më shumë shërbime se sa mallra, më shumë shërbime digjitale se sa letra, dhe më shumë bashkëpunim se sa konkurrencë. Ne si AIDA besojmë fort se e ardhmja ekonomike e vendit ndërtohet çdo ditë, me çdo ide të vogël, me çdo biznes të hapur, si dhe në të gjitha partneritetet e vogla apo të mëdha të cilat sjellin vlera, ide dhe vizione të reja", thekoi ajo.

“Shqipëria 2030” përmes Klik Ekspo Group

Elira Kokona, drejtoreshë Ekzekutive e Korporatës Shqiptare të Investimeve, përshëndeti gjithashtu hapjen e Edicionit të 31-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës – duke e quajtur një moment simbolik që shënon besimin e përbashkët në të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.

“Këtë vit, panairi merr një kuptim të veçantë, sepse Shqipëria prezanton vizionin e saj “Shqipëria 2030” – një vizion që nuk është vetëm ambicie zhvillimi, por një projekt kombëtar për transformim: ekonomik, urban, social dhe kulturor. Si Korporatë e Investimeve Shqiptare, ne jemi themeluar për një mision të qartë: Të zhvillojmë dhe shumëfishojmë vlerën e aseteve publike, duke krijuar partneritete të reja me sektorin privat për të gjeneruar rritje afatgjatë dhe përfitim të ndershëm për shoqërinë” tha ajo mes të tjerash.

Në hapjen e panairit morën pjesë gjthashtu edhe përfaqësues të kompanive të ndërtimit dhe më gjerë, si z.Elton Cekrezi, CEO i Euroelektrika si dhe z.Erald Kerluku, përfaqësues i KLAR Group, të cilët në fjalën e tyre vlerësuan mundësitë e shumta dhe partneritetet që bizneset krijojnë përmes këtij eventi tashmë historik.

Performanca artistike

Pas fjalimeve përshëndetëse të ftuarit patën mundësi të vizitonin stendat e shumta që këtë vit kanë mbushur Pallatin e Kongreseve më shumë se kurrë më parë, ndërkohë që mbrëmja vijoi me disa performanca të veçanta artistike që dhuroi soprano e njohur Eva Golemi dhe pianistja Etrita Ibrahimi, të cilat me artin e tyre krijuan një atmosferë emocionuese dhe energjike për të gjithë të ftuarit.

Një nga aspektet më tërheqëse të kësaj mbrëmje ishte dhe përdorimi i teknologjisë së avancuar për ndriçimin dhe efektet speciale, ku dritat dhe projeksionet vizuale ishin të dizajnuara për të përmirësuar çdo performancë, duke e bërë çdo moment të duket si një skenë e dalë nga kinemaja. Publiku u magjeps nga kombinimi i muzikës dhe pamjeve, duke krijuar një përvojë të paharrueshme.

Panairi  Ndërkombëtar i Tiranës do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 8 nëntor, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, duke ofruar mundësi unike për networking dhe shkëmbim përvojash midis bizneseve shqiptare dhe ndërkombëtare.  Që nga themelimi i tij në vitin 1994, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është shndërruar në një traditë vjetore që promovon ekonominë shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe nxit integrimin e saj në tregjet globale. Edicioni i 31-të konfirmon edhe njëherë rolin e Tiranës si një qendër rajonale për inovacionin dhe bashkëpunimin ekonomik.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos