"Paqja fiskale me bizneset", do të falen 525 mln euro borxhe në Tatime dhe Dogana

Nga Marjo Brakaj
6 Nëntor 2025, 15:00 | Ekonomi

Qeveria do të falë 525 milionë euro detyrime të papaguara të bizneseve në Tatime dhe Dogana deri më 31 dhjetor 2014. Projektligji për fshirjen e borxheve i paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama nga Elbasani pak ditë para zgjedhjeve të 11 majit është gati dhe ka nisur të konsultohet me institucionet dhe grupet e interesit.

“Fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara, direkte apo indirekte, të papaguara, që i përkasin periudhave tatimore deri 31 dhjetor 2014, të cilat rezultojnë të regjistruara në llogaritë tatimore të tatimpaguesve apo të regjistruara në kontabilitetin e administratës tatimore, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj”.

Pjesa më e madhe e detyrimeve që do të falen i takojnë “doganave”, plotë 266 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër “tatimeve”. Sipas të dhënave në relacionin e projektligjit në total administrata tatimore ka 202,387 tatimpagues debitorë me detyrime tatimore të papaguara në shumën 162,5 mld lekëve apo rreth 1,7 mld euro.

Shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore deri 31 dhjetor 2014, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi, por pa përfshirë kontributin”.

Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve mbi 10 vite të papaguara, drafti parashikon  edhe falje të detyrimeve më të reja, por me kushtin të paguhet një pjesë e detyrimit.

Për detyrimet tatimore, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që i përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri në 31 dhjetor 2019: Shuhet 50% e detyrimit tatimor nëse pjesa e mbetur 50% e tatimi/taksës/tarifës paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.6.2026 Shuhet 25% e detyrimit tatimor nëse pjesa e mbetur 75% e tatimit/taksës/tarifës, paguhet me këste mujore të barabarta brenda datës 31.12.2026.

Nga ‘Paqja Fiskale’ nuk do të përfitojnë të gjithë. Në projektligj është parashikuar që të gjithë bizneset që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetimi për vepra penale në fushën tatimore ose doganore nuk do të përfitojnë nga fshirja e detyrimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos