Gati marrëveshja e pensioneve me Serbinë, përfitojnë qindra qytetarë që jetojnë e punojnë në dy shtetet

Nga Marjo Brakaj
17 Qershor 2025, 15:13 | Ekonomi

Në Nish, Novi Sad, Beograd e më gjerë.... si mësues, punëtor ndërtimi apo tregtar... qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Serbi do t’iu njihen vitet e punës. E njëjta vlen edhe për qytetarët serbë që punojnë në Shqipëri. Së afërmi ato do mund të përfitojnë dy pensione, një në atdhe dhe një tjetër në vendin ku jetojnë e punojnë.

“Do të jenë rreth 111 shtetas serb të cilët janë të pajisur me leje pune dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Do të jenë rreth 450-500 shtetas shqiptarë që do të përfitojnë nga marrëveshja për shkak të marrëdhënieve të punës apo rezidencës që kanë në shtetin serb”, tha Olta Manjani, zëvendësministre e MEKI.

Marrëveshja me Serbinë është e fundit e arritur nga Qeveria e Shqipërisë, pas asaj me Italinë. Pas shumë datash të shtyra, prej 1korrikut emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali do mund të përfitojnë nga njohja e ndërsjellë e pensioneve, shkruan A2 CNN.

“Një shtetas shqiptar në Itali që do ta bëjë aplikimin në institucionin homolog në Itali, mund ta bëjë atje. Nuk është nevoja të vijë në Shqipëri. Kështu eliminohen të gjitha kostot e udhëtimit, apo apostilimi të dokumentacionit”, tha Manjani.

Sytë e qeverisë tashmë janë hedhur drejtët shtetit me diasporën më të madhe shqiptare... Greqisë.

“Por njëkohësisht duhet të jemi edhe koshientë që përpos faktit që Shqipëria ka gati draft-marrëveshjen dhe grupin negociator për inicimin e kësaj marrëveshje, jemi në pritje të vullnetit politik të shtetit grek për inicimin e nënshkrimit të marrëveshjes”.

Shqipëria ka aktualisht marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës me Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Kanadanë, Bullgarinë, Kosovën, Zvicrën, Kroacinë, Italinë dhe së fundmi me Serbinë.

“Me konkludimin e të gjithë marrëveshjeve që ne kemi në proces, ky numër do të shkojë në 21. Dhe unë e theksova që përpos vendeve të BE po përpiqemi të kemi marrëveshje edhe me ato shtete me të cilat kemi shkëmbime të shpeshta tregtare”.

Ndërkohë veç Greqisë, përpjekje për negociata ka edhe me Holandën, Poloninë, Finlandën, Moldavinë, Slloveninë, Australinë, Norvegjinë apo Suedinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos