“Me kundërshtime nisi dhe ashtu përfundoi. Në mbi tri vite bashkëpunimin vetëm Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, Shqipëria përfitoi pak nga Ballkani i Hapur, të paktën në një drejtim, atë të ekonomisë. Vendi mbajti pozicion të brishtë sinë tregtinë e jashtme ashtu edhe në drejtim të thithjes së investimeve tëhuaja.”
Ëndrra për një “Shengen Ballkanik” ku kufijtë do të zhdukeshin dhe ekonomitë do të përqafoheshin u përplas nga realiteti politik dhe kundërshtitë që nuk janë vetëm çështje politike, por edhe historie e identiteti. E ndërkohë që një iniciativë po zbehej, një tjetër po ringjallej. Procesi i Berlinit…
Një format i vjetër, por i rikthyer me një qëllim të qartë: të unifikojë rajonin përpara se të arrijë Brukselin.
“Procesin e Berlinit unë e konsideroj si një program i cili brenda ka disa projekte të tjera. Ballkani i Hapur për aq sa zgjati i shërbeu bashkëpunimit ndër-rajonal, ndonëse më pak se pritshmëritë”, tha për A2 CNN, Mikel Qafa, ekspert për ekonominë.
Në Ballkan, historia rrallë përsëritet në mënyrë të qetë. Ajo shpesh rikthehet si një duel i heshtur mes të vjetrës dhe të resë, mes ideve të mëdha dhe realitetit të thyer. Në këtë peizazh, shfaqet edhe një tjetër aktor i vjetër, por shpesh efikas: SEECP – Procesi i Bashkëpunimit në Europën Juglindore, me zanafillë vitin 1996.
“Sepse në SEECP, ndryshe nga Ballkani i Hapur janë të gjashta vendet e Rajonit. Pra kemi një bashkëpunim të plotë Rajonal”, tha për A2 CNN, Fatos Çoçoli, ekspert për ekonominë.
Në një kohë ku aleancat vjetërsohen më shpejt se traktatet, dhe ku rajoni kërkon busullën drejt Brukselit, Tirana bëhet sërish skenë për një ngjarje që flet me gjuhën e diplomacisë, por tingëllon si një betejë për orientim.
“Nga ëndrra e Ballkanit të Hapur tek realiteti i vështirë i politikës, nga rilindja e Procesit të Berlinit tek sfidat e SEECP-së në Tiranë – rruga e bashkëpunimit është e vështirë, por e domosdoshme”, shtoi Qafa.
“Në zemër të Europës, ky është vetëm fillimi i një beteje për stabilitet dhe zhvillim. Dhe Tirana po e luan rolin kryesor në këtë kapitull të ri”, shtoi Çoçoli.
Në sfond, tensionet Izrael-Iran dhe lëvizjet gjeopolitike ndërkombëtare e bëjnë lojën në Ballkan edhe më të ndërlikuar. Çdo vend kërkon siguri, prosperitet dhe një vend në Bashkimin Evropian. (A2 Televizion)