Kuvendi miratoi sot me 72 vota pro dhe 1 kundër projektligjin “Për performancën energjetike të ndërtesave”. Miratimi i këtij projektligji e bën Shqipërinë vendin e parë në rajon që zbaton në mënyrë të plotë direktivën më të fundit të Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Kjo nismë ligjore synon transformimin rrënjësor të mënyrës se si ndërtohen dhe rinovohen ndërtesat në Shqipëri, me objektivin që deri në vitin 2050, të gjitha godinat, publike dhe private të kthehen në ndërtesa me konsum minimal energjie, shkruan A2 CNN.
Ligji nuk është një përafrim formal me BE-në, por një politikë konkrete dhe e strukturuar, që vendos në qendër qytetarët, mjedisin dhe kursimin e energjisë.
Përmes këtij ligji do të hyjnë në fuqi librezat e rinovimit të ndërtesave që ndihmon pronarët për investime eficiente dhe me benefite në aspektin energjetik.
Çdo objekt në Shqipëri do të ketë këtë librezë të vetën. Në qendër të kësaj nisme janë familjet në vështirësi ekonomike që nuk kanë pasur mundësi të rinovojnë apartamentet e vjetra, duke i ndihmuar ato përmes incentivave që të mos mbetet pas në nevojën për një transformim dhe kursim të energjisë.
Gjithashtu synohet vendosja e paneleve diellore në objektet e reja dhe tek ato që do t’i nënshtrohen rinovimit.
Synimi është që të gjitha ndërtesat e reja do të jenë të pajisura me pikën e karikimit inteligjent që duhet ta zbatojnë firmat e ndërtimit. (A2 Televizion)