Brenda këtij viti Bashkimi Europian pritet të zhbllokojë fondet e skemës “IPARD 3” për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka dorëzuar pranë “komisionit” të gjitha informacionet e dokumentacionet e kërkuara, bashkë me garancinë për të parandaluar abuzimet në shpërndarjen e fondeve.
“Ne jemi në pritje të mbarimit të detyrave të shtëpisë dhe në pritje për të hapur IPARD 3. IPARD 3 do të jetë një tjetër mundësi e artë për të gjithë ata që duan të aplikojnë për të zhvilluar projketet e tyre në përputhje me strategjinë e përcaktuar nga pushteti vendor e që përputhje me atë të qeverisë”, thotë për A2 CNN Arian Jaupllari, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Jaupllari tregon edhe formulën e re me të cilën do të shpërndahen fondet dhe rolin që do të kenë bashkitë. “Kjo kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e pushtetit me grupet vendore të veprimit. Çdo bashki do të ketë pothuajse 20 për qind të aksioneve në një projekt të caktuar që do të financohet 100 për qind nga IPARD 3”.
Për shkak të parregullsive dhe abuzimeve të gjetura, Komisioni Europian vendosi në korrik të vitit 2023 të ndërpresë mbështetjen ndaj Shqipërisë në drejtim të bujqësisë dhe zhvilluar rural. (A2 Televizion)