Çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera që përdorim çdo ditë u rritën më lehtë se një vit më parë në shkurt, duke bërë që inflacioni të rikthehej madje poshtë nivelit të dëshiruar. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se treguesi i ndryshimit të çmimeve në harkun e një viti ishte 2.6 për qind muajin e shkuar, nga 3.4 për qind në janar.
Ky është niveli më i ulët i shënuar, që nga tetori i vitit 2021 kur edhe nisi dallga e krizës së çmimeve si rrjedhojë e luftës në Ukrainë.
Rikthimi i inflacionit në objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind u ndikua kryesisht nga rënia e çmimeve të karburanteve. Gjithashtu, muajin e shkuar u rritën më ngadalë edhe çmimet e ushqimeve e pijeve, qiratë, duhani, kafenetë e veshjet.
Veç inflacionit të përgjithshëm, në objektiv është kthyer edhe ai te ushqimet e pijet. Treguesi te kjo kategori në shkurt përllogaritet sipas INSTAT në nivelin 2.7 për qind, nga 5.3 për qind në janar.
Një inflacion në këto nivele, veç konsumatorëve është lajm i mirë edhe për ata që kanë kredi në banka. Së paku për momentin normat e interesit nuk do të rriten, ndërsa nuk mundojnë as sinjalet për lehtësim të politikës monetare. Kjo do të bënte që huamarrësit shqiptarë në lekë të paguanin më pak në këstet e tyre të kredive. (A2 Televizion)