"Integrimi nuk nis nga Brukseli apo Tirana", Bashkimi Europian hap “pakon e radhës” për Shqipërinë

Nga Marjo Brakaj
8 Maj 2026, 14:39 | Ekonomi

“Bashkimi Europian edhe anëtarësimi në familjen europiane janë një bekim për Shqipërinë, por nga ana tjetër janë dhe një sfidë e madhe posaçërisht në nivelin vendor”.

Që sfidat të bëhen më të lehta për t’u kapërcyer dhe anëtarësimi të kthehet në bekim për vendin, “unioni” hapi “pakon e radhës” për Shqipërinë. “EU për Bashkitë 2”, programi strategjik për forcimin e pushtetit vendor u çel zyrtarisht nga Durrësi.

Rama u shpreh: “Një sfidë për vendet anëtarë është që të kenë aftësinë të thithin mbështetjen e BE-së përmes dijes se si ta bëjnë këtë. Në këtë pikë ky program është kyç. Nuk janë 11 milionë eurot e para thjesht si një shumë, por është i gjithë instrumenti dhe mënyra se si është i ndërtuar që t’i bëjë bashkitë të angazhuara që të kenë akses në këtë instrument. Ne do të bëjmë më të mirën dhe do nxjerrim nga ky potenvcial maksimumin për të gjitha bashkitë tona”.

“Rrugëtimi europian i Shqipërisë nuk fillon në Bruksel apo Tiranë” tha ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato që tregoi edhe për përfitimet që Shqipëria do të ketë nga ky instrument, shkruan A2.

“Ky program është shumë i prekshëm. Këtu shndërrohen politikat në përmirësime të vërtetat për jetën e qytetarëve. Në të gjithë BE janë ato që i kthejnë investimet në vepra. Më shumë se 70% e rregulloreve të BE-së do të kthehen në terren në të gjitha bashkitë. Prandaj janë të rëndësishme bashkitë. Për këtë punë na duhet dhe ky partneritet mes qeverisjes vendore dhe qendrore. por në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Gonzato.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ndau edhe një eksperiencë personale nga koha kur drejtonte Bashkinë e Beratit: “Do e nis me një eksperiencë personale, sepse në rangun e parë të këtij projekti Bashkia Berat ka qenë fituese, unë kam qenë kryetari i bashkisë në atë kohë. Përmirësimi i shërbimeve arsimore në Bashkinë e Beratit u bë falë kontributit të projektit EU4Municipalities. Përfaqëson një investim strategjik dhe vjen në një moment kur Shqipëria vazhdon rrugën për në BE”.

Programi “EU për Bashkitë 2” parashikon investime konkrete në bashki, rritje të kapaciteteve administrative dhe modernizim të shërbimeve publike, me qëllim përmirësimin e drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve. Ai do të zbatohet deri në vitin 2029. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos