Krizat godasin xhepat e shqiptarëve. Inflacioni "i qëndrueshëm", shqiptarët “shtrëngojnë rripin” për ushqimet

Nga Marjo Brakaj
8 Maj 2026, 14:22 | Ekonomi

“Duke e shtrënguar rripin. Nga muaji në muaj i bëjmë ndonjë brimë më shumë që të shtrëngohemi sa më tepër. S’ke ça të bësh”.

Megjithatë, Instituti i Statistikave raporton se “çmimet nuk po rriten aq shumë”. Për muajin e shkuar, INSTAT vlerëson se inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë përballë shtrenjtimit të jetesës ishte vetëm 2.8 për qind nga 2.3 për qind prillin e 2025-s. Ky tregues nuk përputhet shumë me çmimet që qytetarët blejnë produktet.

“Ja, kemi blerë spinaq e do bëjmë burani. Ne mirë që na ndihmojnë fëmijët se me këto çmime do kishim ngordhur për bukë”, thonë qytetarët për mikrofonin e A2.

Rritja e çmimeve në këtë periudhë nuk është vetëm një fenomen shqiptar dhe ky është një fakti pakundështueshëm. Por, ajo që e dallon Shqipërinë nga vendet e tjera është fakti se efektet e krizave që vijnë nga jashtë transmetohen në popullatë pa asnjë lloj zbutje.

Ilir Pilku, ekspert i sektorit bujqësor, shprehet: “Duke parë edhe pjesën e turizmit që po na rritet goxha, do të ishte një gjë e mirë për ne sikur të ktheheshin pak sytë te bujqësia. Do ndihmonte ekonominë, fermerët, pra të gjithë ne. Do plotësonte nevojat edhe për turizmin, por edhe për konsum të brendshëm”.

Për shkak edhe të lënies së tokës “djerrë”, si pasojë edhe e braktisjes nga njerëzit, sot vendi po varet thuajse tërësisht nga importi: “Së pari, prodhimi ynë bujqësor duhet të strukturohet më mirë dhe t’i përshtatet ndryshimeve klimatike. E para, duhet të dalim me prodhim shumë më herët dhe e dyta në kulmin e sezonit turistik veror që është në muajt korrik e gusht ne duhet të kemi sa më shumë prodhim vendas”.

Pas më shumë se tre dekadash e gjysmë tranzicion, ekonomia shqiptare po rezulton e paaftë për të përmirësuar e aq më pak për të ndryshuar veten, duke vijuar të jetë e brishtë përballë thuajse çdo krize qoftë mijëra kilometra larg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos