Vlerësimi i meritokracisë në administratën publike do të mbështetet në një sistem periodik të vlerësimit të performancës, për të dalluar punonjësit që kontribuojnë më shumë dhe për të shmangur vlerësimet e njëjta pozitive për të gjithë. Kështu deklaroi ministrja e shtetit për Administratën Publike Adea Pirdeni në një intervistë në Ditarin e Pasdites me Pandi Gjatën në A2 CNN, e cila shpjegoi mënyrën se si do të funksionojë qasja e re ndaj meritokracisë.
“Vlerësimi periodik i punës në administratë është një çështje e zakonshme që ndodh periodikisht. Vlerësimi i punonjësve ndodh njëherë në gjashtë muaj. Pra çdo korrik, çdo janar, çdo nëpunës publik i nënshtrohet një procesi të vlerësimit të performancës dhe vlerësimi institucional bëhet vjetor, do të bëhet praktikisht në janar të vitit të ardhshëm për vitin e shkuar”.
Sipas saj, çdo institucion do të ketë një plan pune të standardizuar, të dakordësuar me ministrinë përkatëse dhe të publikuar në faqen zyrtare. Po aty do të publikohet edhe raporti për zbatimin e planit, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të njihen me rezultatet dhe të kërkojnë llogari nga institucionet.
“Ne besojmë që përmes ndryshimeve në ligj kemi vendosur një standard të ri që çdo institucion duhet që ta ketë jo vetëm planin e punës së tij do të dakordësuar ministrin, por plani i punës do të jetë publik. Çdo qytetar shqiptar në faqen zyrtare online të institucionit përkatës, institucioni varësie të të Ministrisë përkatëse, mundet që të shikojë planin dhe gjithashtu do të ketë mundësi që të njihet dhe me raportin për zbatimin e planit. Këto do jenë dokumente të cilat do të jenë publike për të gjithë dhe kështu mendoj që shkojmë dhe në frymën e asaj iniciative që kryeministri Rama ka përmendur në krye të herës për të pasur një qasje shumë më të hapur ndaj qytetarëve. Për të pasur një mundësi që qytetarët të kërkojnë llogari nga institucionet duke u vënë në dispozicion të dhëna zyrtare publike”, tha ajo në A2 CNN.
E pyetur se kur mund të përfundojë kjo reformë në administratën publike, Pirdeni u përgjigj se reformat nuk kanë afate. Ajo njoftoi se së shpejti do të paraqiten ndryshime në ligjin për nëpunësin civil, me synimin për të hapur më shumë konkurrencën për pozicionet e nivelit të mesëm drejtues, edhe për profesionistë nga jashtë administratës.
“Ne kemi miratuar një strategji të reformës së administratës publike e cila nis nga viti 2025 deri në vitin 2030. Të gjitha ndërhyrjet në legjislacionin e administratës publike janë të gjitha të dakordësuara me Komisionin Europian. Ne shumë shpejt do të paraqesim disa ndryshime në ligjin për nëpunësin civil të dakordësuara gjithashtu me partnerët tanë europianë, me qëllimin e vetëm që të krijojmë një mekanizëm të ri, një bazë të re ligjore për ta sjellë shërbimin civil në Republikën e Shqipërisë në standardet e sotme jo vetëm europiane, por duke u përgjigjur edhe standardeve që kërkon tregu i punës. Ky është një ligj i cili për herë të parë parashtrohet për t'u propozuar pas 13 vjetësh. Sistemi që ne kemi ngritur tani është një sistem i bazuar mbi karrierën që jep si rregull përparësi të gjithë nëpunësve civilë aktual për t'u promovuar në karrierë. Ne duam që për pozicionet të nivelit të mesëm drejtues të hapet gara më shumë dhe për ata që vijnë nga jashtë sistemit, pra për profesionistë të nivelit të mesëm që duan t'i bashkojnë administratës publike shqiptare nga njëra anë duke ruajtur mundësinë që kushdo që punon brenda administratës të ketë një përparësi për t'u avancuar për të avancuar në karrierë. Por nga ana tjetër sikurse ne e thamë përpara thelbi i kësaj iniciative është garantimi i meritës”. (A2 Televizion)