Mënyra se si do të kryhen inspektimet në biznese do të ndryshojë. Rregulli kryesor do të jetë “Jo gjobë në vizitën e parë.” Paralelisht me reformën në “Ligjin për inspektimet do të krijohet edhe një “hartë” e biznese ku ato të rregullta do të përjashtohen nga kontrollet.
“Beso shumë, kontrollo pak por kontrollo mirë, dhe pasi të kesh kontrolluar mirë, godit po aq fort sa beson”
Me qendër rregullin “Jo gjobë në vizitën e parë” dhe rend kronologjik siç kryeministri, Edi Rama citoi... kështu do të funksionojnë inspektimet në biznese pas reformës që pritet të zbatohet së shpejti.
“Do të bëjmë që të ketë më pak inspektime, më shumë këshillim. Goditje katastrofike për biznesin që nuk futet në binar. Aty ku vihet gjoba do të jetë goditje, një hap larg vdekjes së atij biznesi”.
Paralelisht me reformën në “Ligjin për inspektimet”, nga “Shtëpia e Biznesit” kryeministri Rama njoftoi se do të krijohet edhe një “hartë” e biznese ku ato të rregullta do të përjashtohen nga kontrollet.
“Thotë ajo shprehja, të gjithë si këmbët e dhisë. Bizneset korrekt në raport me shtetin nuk do të kontrollohen. Do jenë zonë e ndaluar për inspektim. Kanë treguar në një proces kohor që i janë përmbajtur kontratës me shtetin në mënyrë korrekte”
Ndryshime do të ketë edhe në drejtim të kompetencave të institucionit që vendos gjobën dhe atij që shqyrton ankimimin nga biznesi.
“Nuk do të jetë një trup që edhe do vendos gjoba dhe të marrë në shqyrtim ankesa. Ankesat do të bëhen edhe me trupat e apelimit në përfaqësinë e trupave të bizneseve, për të krijuar një barrikadë që të mos kapërcehet dot. Përtej kësaj, do të vendosim një parim të ri, jo gjobë në vizitën e parë. Nuk është biznesi për ti shërbyer shtetit, është shteti për ti shërbyer biznesit”, tha Delina Ibrahimaj.
“Reforma në inspektime” vjen si nevojë e diktuar nga biznesi pas ankesave për gjobë-vënie dhe selektivitet nga inspektorët gjatë kontrolleve. Korrupsioni gjatë inspektimeve u diktua edhe nga kreu i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra dhe u pranua nga kryeinspektor i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari. (A2 Televizion)