“Kapitulli më sfidues i negociatave”, Menaxhimi i mbetjeve i hiqet bashkive, ngrihet një operator kombëtar

Nga Marjo Brakaj
28 Gusht 2025, 14:43 | Ekonomi

“Ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE”. Që kjo sfidë mos kthehet në një rrugë pa dalje, struktura dhe hierarkia e menaxhimit të mbetjeve në vend do të ndryshojë. Në vend të bashkive, rolin kryesor për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve do ta ketë Operatori Kombëtar i Trajtimit të Mbetjeve.

“Grumbullimi dhe trajtimi i mbetjeve nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por do të jetë një proces i administruar nga ky operator kombëtar në bashkëpunim me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes dhe në raport me të cilin bashkitë do të jenë klientë njësoj siç janë klientë të operatorëve të tjerë për të tjera shërbime”, tha Rama, shkruan A2 CNN.

“Situatë tërësisht primitive”... kryeministri Rama nuk i kurseu kritikat duke shprehur zhgënjimin për menaxhimin e diferencuar të mbetjeve. Ai paralajmëroi edhe largimin e varrezave të makinave që qëndrojnë buzë akseve rrugore. “Jemi në situatë tërësisht primitive në raport me ndarjen në burim të mbetjeve, jemi i vetmi vend në Europë që varrezat e makina i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e “Maliqit” në territor dhe ky do të jetë një operacion që do të vazhdojë, për shkuljen e gjithë atyre varrezave”, tha Rama.

Këto objektiva pritet të realizohen me anë të reformës në Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve përmes një pakete të dedikuar ndërhyrjesh ligjore dhe investimesh. “Ne propozojmë një plan të ri kombëtar për menaxhimin e mbetjeve që ka së pari shtyllën e vet ligjore, kemi gati për miratim ligjin e ri të mbetjeve me të cilin respektojmë dhe plotësojmë nga pikpamja ligjore të gjitha standardet europiane”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit.

Menaxhimi mbetjeve në Shqipëri do të bëhet i ndarë në 10 zona të ndryshme përmes landfilldeve, impianteve për ndarje dhe kompostim mbetjesh dhe stacione transferimi, duke hequr dorë nga inceneratorët. “E kemi bërë këtë në konsultim shumë të ngushtë me ekspertë europianë falë projektit IPA-circula economy me Bashkimin Europian. Po kështu ligjin e “Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit”, i cili ka shkuar në kuvend dhe bashkë me ligjin e mbetjeve miratohen brenda sesionit të parë të kësaj legjislature”, shtoi ajo.

Kumbaro njoftoi ngritjen e Sistemit të Integruar të të Dhënave Mjedisore, si një platformë digjitale që do të sigurojë të dhënat parësore në kohë reale mbi regjistrin e mbetjeve urbane dhe transfertat e mbetjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos