Karakaçi inspekton Albcontrol: Numër rekord fluturimesh, masa të shtuara për të përballuar fluksin

Nga A2 CNN
10 Gusht 2026, 13:11 | Ekonomi

Karakaçi inspekton Albcontrol: Numër rekord fluturimesh, masa

Viti 2026 po shënon një rekord të ri sa i takon aviacionit civil, duke arritur në shifra të paregjistruara më parë. Këtë bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi gjatë inspketimit të Albcontrol, ku u njoh me masat për menaxhimin e fluksit të fluturimeve, për të garantuar një proces pa problematika dhe vonesa.

“Ne vazhdojmë përsëri me rritjen e trafikut ajror. Nga viti në vit kemi rritje. Edhe këtë vit, në krahasim me vitin 2025, si për kategorinë e ulje-ngritjeve nga aeroporti i Tiranës, ashtu edhe për trafikun që kalon mbi kufirin shqiptar, kemi një rritje dyshifrore. Dhe po ashtu është edhe shumë evidente në fakt, që duhet theksuar, që edhe puna shumë e mirë e menaxhimit të aeroportit të Tiranës, pasi në këtë 6-mujor që ne kemi shifrat zyrtare, kemi një numër pasagjerësh pothuajse mbi 17% të zbritur në aeroportin e Tiranës, rreth 6 milionë dhe për ta krahasuar me vitin 2025 kemi rreth 900 mijë pasagjerë më shumë. Konfirmim i trendit të rritjes së menaxhimit të aeroportit, por edhe atë çfarë është evidente në të gjithë Shqipërinë, i fluksit të rritjes së turistëve dhe i menaxhimit të mirë që bëhet në aeroportin e Tiranës”, tha Karakaçi.

Të gjitha shifrat, shtoi Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dëshmojnë se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi.

“Ne po vazhdojmë rritjen vit pas viti në industrinë e aviacionit civil. Dhe kjo vjen shumë qartë për shkak të politikave të Qeverisë Shqiptare në aviacionin civil që kanë bërë të mundur edhe diversifikimin e operatorëve dhe linjave të trafikut ajror, duke krijuar kështu edhe mundësi më të mira për turizmin, por edhe mundësi për ndërlidhje më të mira ekonomike ndërmjet shteteve, pasi linjat ajrore intensifikojnë marrëdhëniet mes shteteve”, nënvizoi Krakaçi.

Një element i rëndësishëm është edhe rritja e numrit të destinacioneve të cilat kanë sjellë në Shqipëri turistë dhe vizitorë nga shumë vende të botës të cilët tashmë kanë mundësi ta aksesojnë vendin tonë përmes linjave direkte të fluturimeve.

Nga ana e tij drejtori i Albcontrol Dritan Isaku bëri të ditur se prej muajit janar dhe deri në korrik janë përpunuar rreth 242 mijë fluturime, 11% më shumë, krahasuar me vitin e kaluar, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat, duke shtuar edhe stafin, për t’ju përgjigjur fluksit në rritje.

Aktualisht aeroporti ndërkombëtar i Tiranës klasifikohet si aeroporti me ngarkesën më të madhe në Ballkan.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos