Pavarësisht ngadalësimit të turizmit në qershor, korriku riktheu ritmet e rritjes me gati 2 milionë vizitorë të huaj. Qeveria ia atribuon këtë ecuri aktiviteteve kulturore dhe eventeve ndërkombëtare, ndërsa turistët thonë se protestat nuk kanë ndikuar në vendimin e tyre për të vizituar Shqipërinë. Në shtatë muajt e parë të vitit, vendi ka pritur mbi 7 milionë të huaj, duke vijuar trendin pozitiv të turizmit.
Shqipërinë e vizituan gati 2 milionë turistë në korrik. Pas ngadalësimit në qershor, ecuri për të cilin gishti tregues i fajit nga qeveria u drejtua te protestuesit... rritja muajin e shkuar ishte me rreth 130 mijë vizitorë apo 7.1 për qind.
“Veçanërisht për korrikun kanë ndikuar pozitivisht festivalet dhe iteneraret tematike, festat dhe ngjarjet e jashtëzakonshme si eventi i Kanye West në Tiranë, shumë show e koncerte të skenës artistike të pavarur ose nga institucionet dhe bashkitë, turet e legjendave si nata e Zucchero, eventet ndërkombëtare e konferencat e ndryshme në vend!”, tha Blendi Gonxhja, ministër i MTKS.

Po sa lidhet frenimi i turizmit në qershor me “Revolucionin Flamingo” dhe sa me “problemet e vjetra që vijojnë edhe në sezonin e ri të turizmit?
“Po. Kam lexuar për “Revolucionin e Flamingove”. Por nuk ka ndikuar aspak në vendimin tim për të ardhur në Shqipëri”, u shpreh Emma, turiste nga Holanda.
“Po, po. Kam dëgjuar për të. Jam e shqetësuar për natyrën në Shqipëri dhe jo për protestën. Shpresoj që qeveria e Shqipërisë të kujdeset për natyrën. Është e rëndësishme mbrojtja”, tha Hola, turiste nga Holanda.

“Revolucioni Flamingo” nuk ka ndikuar as në vendimin e këtij grupi të rinjsh nga Polonia për të ardhur në Shqipëri.
“Unë jam Ann dhe këtu jemi si grup shoqëror. Kam dëgjuar për protestat. Absolutisht që nuk kanë ndikim negativ. Ato janë paqësore”, deklaroi Ann, turiste nga Polonia.
Marrë që nga fillimi i vitit, në vend kanë hyrë mbi 7 milionë të huaj. Gati 500 mijë apo 6.5 për qind më tepër se në janar-korrikun e vitit të shkuar.
(grafik 2) (A2 Televizion)