Banka e Shqipërisë është e shqetësuar për rritjen e çmimeve të apartamenteve dhe zgjerimit të kredi-dhënies për blerjen e tyre. “Për kë arsye në muajin maj, Banka e Shqipërisë vendosi kufizime të sipërme në dy tregues të standardeve të kredisë së re për pasuri të paluajtshme rezidenciale, duke i përcaktuar vlerat e tyre sipas monedhës dhe qëllimit të përdorimit të banesës. Këto masa kanë hyrë në fuqi në 1 korrik 2025, dhe efekti i tyre do të monitorohet në vazhdimësi”, thotë për A2 CNN Klodion Shehu, Drejtori i Departamentit të Stabilitetit Financiar të BSH.
Norma e kredive me probleme ra në 4.04 për qind muajin e shkuar. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2008. Por Banka Qendrore e sheh me shqetësim këtë tregues, Drejtori i Departamentit të Stabilitetit Financiar shpjegon arsyet.
“Gjatë gjysmës së parë të vitit, raporti i kredive me probleme ra me 0,2 pikë përqindjeje në nivelin 4.0% - më i ulëti në 15 vitet e fundit. Rritja e stokut të kredive me probleme është vënë re në të gjithë portofolin e kredisë, por rezulton më e madhe për kredinë në Lek, për atë afatgjatë dhe për kredinë për individë. Pa fshirjen e kredive të humbura, që gjatë periudhës kanë qenë relativisht më të larta, rritja e stokut të kredive me probleme do të ishte më e madhe. Këto fshirje kanë ndikuar në strukturën e kredive me probleme, por kreditë e klasifikuara si “të humbura” vijojnë të ruajnë peshën më të lartë”, thotë Shehu.
Ndërkohë vala e krizës së çmimeve në Shqipëri mund të rikthehet! Donald Trump me “luftën tregtare” dhe Vladimir Putin me “mësymjen në Ukrainë” do të ishin arsyet. “Pasiguria në tregje, ndjeshmëria ndaj tarifave, tensionet gjeopolitike dhe efektet e tyre të ardhshme në zhvillimet fiskale të ekonomive më të mëdha, kanë bërë që veprimet e bankave qendrore drejt lehtësimit të politikës monetare të jenë me ritme të ndryshme dhe të kujdesshme”, thotë Shehu.
Në raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, vlerësohet se në fund të tremujorit të parë të vitit, rritja vjetore e ekonomisë shqiptare rezultoi 3,4 për qind. (A2 Televizion)