Raportet me SHBA, Kurti: Dallime në raport me Serbinë dhe strukturat ilegale

Nga Ideal Gola
19 Shtator 2025, 15:21 | Ekonomi

Raportet me SHBA, Kurti: Dallime në raport me Serbinë dhe strukturat

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti foli për herë të parë në lidhje me pezullimin e dialogut strategjik nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në adresimin e tij gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se komunikimi i rregullt me Ambasadën amerikane nuk është ndërprerë asnjëherë dhe se qëndrimet e kësaj të fundit i merr seriozisht.

“Nuk jemi prishur me Amerikën por kemi disa dallime. Ndonëse opozitarët po e stërzmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e Qeverisë sonë me Qeverinë amerikane unë nuk dua t'i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët tanë se Qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës amerikane”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për dallimet që kanë më Shtetet e Bashkuara e që lidhen kryesisht me raportet me Serbinë dhe me operacionet për mbylljen e strukturave ilegale serbe në Kosovë, shkruan A2 CNN.

“Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike”, u shpreh Kurti.

Ndryshe nga dallimet në diplomaci, Kurti u shpreh se ka pasur avancim të bashkëpunimit në mbrojtje dhe bashkëpunim ekonomik.

Sipas tij, blerja e pajisjeve dhe municioneve me administratën aktuale amerikane është duke shkuar shumë mirë, ndërsa kanë hequr edhe tarifën prej 10% për produktet amerikanë që hyjnë në Kosovë.

Gjithashtu, ai përmendi faktin që Uashingtoni vazhdoi programin Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Republikën e Kosovës.

“Raportet, marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të popujve tanë janë të thella dhe i tejkalojnë qeveritë. Ato janë ndërtuar mbi një histori të gjatë dhe me themele të forta, të bazuara në vlera të përbashkëta dhe arritje të rëndësishme”.

Ambasada amerikane njoftoi pezullimin e dialogut strategjik më Kosovën, një proces ky që Uashingtoni e shfrytëzon për avancimin e marrëdhënieve bilaterale në fusha si mbrojtja, siguria, mjedisi, bashkëpunimi ekonomik dhe të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos