Banka Amerikane e Investimeve raporton rritjen më të lartë në sektorin bankar në 10 vitet e fundit.
Banka Amerikane e Investimeve festoi 10-vjetorin e saj në ambientet e Pallatit të Brigadave. Që prej vitit 2015, ABI Bank është rritur dhjetëfish dhe, në fund të vitit 2025, pas bashkimit me NOA, pritet të arrijë në 2 miliardë dollarë. Me pothuaj 1000 punonjës, grupi ABI Bank, që përfshin edhe NOA-n, raporton rritjen më të lartë në sektorin bankar në 10 vitet e fundit dhe fitueshmërinë më të madhe në tre vitet e fundit.
Në eventin e mbajtur me rastin e përvjetorit, z. Igli Sulaj falënderoi klientët, punonjësit dhe të ftuarit e nderit, mes tyre Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministren Delina Ibrahimaj dhe Chargé d’Affaires të Ambasadës Amerikane në Shqipëri, znj. Nancy VanHorn.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në fjalimin e tij, tha: “Pas një periudhe 10-vjeçare, mund të themi me bindje se strategjia e ndjekur nga ABI Bank, sado sfiduese që konsiderohej në fillim, ka rezultuar plotësisht e suksesshme, si për investitorët, ashtu edhe për promovimin e një konkurrence të shëndetshme në treg”.
Ministrja Delina Ibrahimaj vlerësoi lidershipin, rolin dhe vizionin e ABI Bank në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, me fokus investimet në sektorin e turizmit, shumë përpara se ky sektor të arrinte suksesin e viteve të fundit.
Kathryn Swintek, kryetare e bordit të ABI Bank, dhe Greg Katz, përfaqësues i NCH Capital, një fond investimesh amerikan që vazhdon të investojë në Shqipëri prej pothuaj 20 vitesh, shprehën vlerësimin për suksesin e ABI Bank, si dhe besimin në zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit të NCH në rajon. Ata theksuan se ABI ka mbështetur kauza sociale dhe ka sjellë zgjidhje inovative për bizneset vendase.
Andi Ballta, CEO i ABI Bank, u fokusua në rëndësinë që kultura e ABI Bank ka luajtur në suksesin e saj. Ai tha se ABI Bank do të vazhdojë të investojë në turizëm, bono korporative lokale dhe monedhën shqiptare, si edhe të mbështesë aktivitete bamirësie, arti, kulture dhe sporti.
ABI Bank është investimi më i madh amerikan në Shqipëri, me kapital total rreth 200 milionë dollarë.
(A2 Televizion)