Vijon shtrenjtimi i apartamenteve, çmimet u rritën me gati 42% në gjysmën e parë të vitit

Nga Marjo Brakaj
24 Shtator 2025, 15:07 | Ekonomi

Po shiten më pak prona, por çmimet po rriten. Pasi ndali vitin e shkuar, shtrenjtimi i apartamenteve iu rikthye vrullit në gjysmën e parë të vitit. Rritja më e fortë rezulton në qytetet bregdetare

Çmimi mesatar i banesave u rrit me 14.6% në terma gjashtëmujorë dhe me 41.7% ndaj një viti më parë. Për Tiranën, indeksi u rrit 5.1% në terma gjashtëmujorë dhe 32.6% ndaj nivelit të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë

Për shkak të çmimeve të larta koha e shitjes së një prone është rritur në raport me vitet e kaluara, të ndikuara sipas Bankës qendrore prej zhvillimeve në tregun e Tiranës, ku duhen të paktën 12 muaj për të shitur një pronë.  

“Agjentët raportojnë numër të pandryshuar banesash të regjistruara në librat e tyre. Balanca neto mes atyre që raportojnë rritje të numrit të banesave të regjistruara dhe atyre që raportojnë rënie të numrit të tyre, ishte neutrale. Numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie”, thotë për A2 CNN Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.

Vijon shtrenjtimi i apartamenteve, çmimet u rritën me gati 42%

Në vrojtim evidentohet se kostot e ndërtimit janë rritur në këtë periudhë të parë të vitit por me ritme shumë më të ulëta se çmimet e pronave në vend. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti është vërejtur edhe një rënie e numrit të pronave të blera nga shtetas të huaj, duke zbritur nën 20 për qind sipas bankës.

“Mbi 60% e agjentëve raportojnë se kanë realizuar shitje me çmim më të ulët se ai i kërkuar nga shitësi. Kjo vlerë është më e lartë se ajo e dy periudhave të mëparshme. Ndër këta, në rreth 2/3 e rasteve, shitja ka qenë me një ulje midis 5-20 për qind nga çmimi i kërkuar prej shitësit. Edhe ky tregues është më i lartë se ai i dy periudhave paraardhëse”, thotë Pipiria.

Vetëm në 6-muajit e parë të vitit qytetarët morën 362 milionë euro kredi për blerje banese, ose 24 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos