Kërkonin 100 mln euro dëmshpërblim, Shqipëria fiton arbitrazhin me “Kurum”

Nga Marjo Brakaj
1 Gusht 2024, 13:22 | Ekonomi

Shqipëria ka fituar gjyqin në arbitrazhin ndërkombëtar me kompaninë “Kurum” që kërkonte 100 milionë euro dëmshpërblim pas prishjes së kontratës së koncesionit të terminalit të kontejnerëve në Durrës. Lajmin e konfirmoi për A2 CNN, Avokati i Shtetit, Odise Moçka.

Më 23 shtator 2020, kompanitë e regjistruara në Shqipëri, Durrës Kurum Shipping shpk, Durrës Container Terminal Sha, Metal Commodities Foreign Trade Corp e regjistruar në Shtetet e Bashkuara të AMerikës dhe Altberg Developments LP në Britani u ankuan në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve për “prishje të njëanshme të kontratës nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”.

Por me një vendim të datës 26 korrik, trupa gjykuese ICSID pjesë e grupit të Bankës Botërore vendosi të rrëzojë pretendimet e palës paditëse. Gjykata vendosi se vendimet e gjykatave shqiptare, që kanë rrëzuar Kurum, qëndrojnë pasi ishin të pranuara si kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshje që në kontratën dypalëshe.

Rrjedhimisht ICSID vendosi gjithashtu që të gjitha shpenzimet gjyqësore, edhe të shtetit shqiptar, t’i paguaja pala humbëse, Kurum.

Kompania Kurum nënshkroi kontratën në 2011 me Ministrinë e Transporteve dhe e kishte për 35 vite të drejtën e operimit. Në 2016 Ministria kërkoi prishje të kontratës me argumentin që kompania nuk kishte përmbushur kushtet.

Si Gjykata Administrative ashtu edhe ajo e Apelit konfirmuan të drejtën e Ministrisë për zgjidhjen e kontratës. Më 3 shkurt 2020, përmbaruesit shkuan në terren për të larguar kompaninë turke nga porti i Durrësit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos