Administrata Doganore Shqiptare ka reaguar në lidhje me anijen që ka transportuar koncentrat zinku nga Shqipëria në drejtim të Kinës.
Në deklaratën për mediat, Dogana thekson se rasti nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova.
Administrata Doganore Shqiptare thekson se ky rast po përdoret politikisht, ndërsa ky institucion është duke punuar me zyrën e BE-së për zbardhjen e plotë të këtij rasti.
“Nisur nga informacionet disinformuese që po shpërndahen prej ditësh në media dhe po përdoren për arsye politike dhe për baltosjen e punës së Administratës Doganore Shqiptare, sqarojmë si vijon:
Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk me adresë Rr. Fehmi Agani, Prishtinë/Kosovë; Firma pritëse/importuese është ACHRO AG me bazë në Steinhausen Switzerland.
Firma zvicerane ACHRO AG është urdhëruese sipas BILL OF LOADING (B/L) e kompanisë detare MAERSK për transportin e këtij produkti (LOË GRADE ZINC CONCENTRATE) me destinacion firmën pritëse GUANGXI LOGISTICS INDUSTRY INTERNATIONAL TRADE CO. LTD, NANNING, China.
Sa më sipër ritheksojmë se:
• Nuk është produkt me origjinë nga Republika e Shqipërisë;
• Nuk është eksport nga Shqipëria por një tranzit ndërkombëtar ndërmjet një firme nga Kosova dhe një firme zvicerane pa përfshirjen e asnjë firme nga Shqipëria.
ADSH si në rastet e mëparshëm por edhe në këtë rast, po shkëmben informacion intensiv si dhe po bashkëpunon ngushtë në hetim të përbashkët me OLAF (Zyrën e Luftës kundër Mashtrimeve të BE-së) si dhe organizma të tjera ligj-zbatues”, thuhet në njoftimin e Administratës Doganore Shqiptare. (A2 Televizion)