Kredia me probleme, në nivelin më të ulët në 18 vjet

Nga Mario Brakaj
16 Shkurt 2026, 14:47 | Ekonomi

Norma e kredive me probleme në raport me totalin e huave të dhëna qytetarëve dhe bizneseve shënoi fundvitin e shkuar nivelin më të ulët në 18 vjet. Treguesi ra në vetëm 3.8 për qind nga 4.19 për qind në nëntor apo 4.17 për qind dhjetorin e 2024-s.

Pano Soko, ekspert për ekonominë tha:“Rënia më e theksuar gjatë muajit dhjetor në përgjithësi ndodh sepse bankat bëjnë një pastrim të portofoleve nga kreditë e humbura para mbylljes së vitit financiar. Volumet më të mëdha të kredive të nxjerra jashtë bilanceve ndikojnë në uljen e raportit të kredive me probleme. Nga ana tjetër, edhe rritja e fortë e portofolit të kredisë në muajin e fundit të vitit vlerësohet se ka ndikuar pozitivisht raportin e kredive me probleme.” 

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se portofoli total i kredisë së dhënë nga 11 bankat tregtare në vend në fund të vitit të shkuar ishte 943.5 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 35.8 miliardë ishin hua të papaguara në kohë.

“Kjo rënie historike e kredive me probleme lidhet me një disiplinë më të madhe të qytetarëve dhe bizneseve për të paguar këstet në kohë, por edhe me zgjerimin e portofolit të kredive. Vitet e fundit kemi parë një interes më të madh për hua të reja, veçanërisht në fushën e banesave dhe investimeve të vogla”, shprehet Soko. 

Rënia e treguesit në nivelin më të ulët në 18 vjet ka ardhur sa nga shlyerja në mënyrë të rregullt e kredive të vjetra, aq edhe nga zgjerimi i huave të reja. Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë morën gati 437 miliardë lekë kredi vitin e shkuar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në raport me 2024-n, huaja e re u zgjerua me 56.9 miliardë lekë apo 15 për qind.

“Kredia për banesë po bëhet gjithnjë e më dominuese në treg. Nga njëra anë, shumë familje kanë arritur të shlyejnë më shpejt detyrimet ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, ka një fluks të vazhdueshëm të kërkesave për hua të reja për blerjen e shtëpive. Ky është një tregues që ky segment i tregut financiar po qëndron shumë aktiv”, vijon eksperti. 

Ekspertë të ekonomisë parashikojë se kjo ecuri do të vijojë për aq kohës a bankat do të mbajnë të shtrënguara kushtet e dhënies së kredive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos