Bashkë me tërmetet, qeveria mund të bëjë me detyrime dhe sigurimin e pronave nga përmbytjet. Ministria e Financave iu ka çuar për konsultim institucioneve të linjës projektligjin e rishikuar “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” të cilit i bashkëngjiten edhe përmbytjet.
Sipas dokumentit që i është dërguar për konsultim Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Institutit të Gjeoshkencave dhe Agjencisë së Mbrojtjes Civile, në Fondin për Sigurimin nga Tërmetet dhe Përmbytjet do përfshihen banesat, njësitë tregtare dhe zyrat. Ndërkohë nuk do mund të sigurohen ndërtesat që përbëhen nga argjile apo qerpiçi, strukturar me fibër-kallami apo objektet e lëvizshme, shkruan A2 CNN.
Në rast të tërmeteve apo përmbytjeve do të kompensohen dëmet materiale deri në një masë, por jo dëmtimet fizike apo humbjet e jetëve. Gjithashtu sendet brenda banesës nuk do mund të sigurohen dhe as humbjet financiare nga ndërprerja e veprimtarisë dhe fitimi i munguar nuk do të kompensohen.
Sigurimi i detyrueshëm ndaj tërmeteve dhe përmbytjeve do të vlejë si për qytetarët shqiptarë ashtu edhe për shtetasit e huaj. Kontrata e sigurimit do të përmbajë emrin dhe të dhënat mbi pronën e të siguruarit, datën e fillimit dhe mbarimit të policës së sigurimi, shumën dhe primin e sigurimit.
Fondi për Sigurimin nga Tërmetet dhe Përmbytjet financohet nga primet e qytetarëve dhe bizneseve, komisionet nga risigurimi, të ardhurat nga investimet, mbështetja e buxhetit të shtetit, grante dhe donacione, si dhe të ardhura të tjera ligjore, duke siguruar mbulimin e rreziqeve natyrore dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Nëse nuk bëhet sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet dhe përmbytjet, disa shërbime nuk do të jenë të aksesueshme për qytetarët dhe bizneset. Këto përfshijnë shërbimet në Kadastër, përgatitjen dhe regjistrimin e kontratave vullnetare të sigurimit, disa shërbime të ofruara në platformën e-Albania, si dhe shërbime në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregu i sigurimeve në Shqipëri dominohet nga sigurimet motorike, të cilat përbëjnë 69,5% të totalit. Sigurimet për pronën dhe shërbimet e tjera zënë 16,1%, ndërsa sigurimet për jetë dhe shëndet përbëjnë 14,3% të tregut. Kjo strukturë tregon se pjesa më e madhe e aktivitetit të sigurimeve lidhet me automjetet, ndërsa segmentet e tjera mbeten më të vogla. (A2 Televizion)