Sinjale negative në fillimvit, ushqimet dhe qiratë rritën inflacionin në 2,3 për qind në janar

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2026, 13:57 | Ekonomi

Çmimet po rriten më shpejt këtë fillimvit. Inflacioni, treguesi i zhvlerësimit të parasë në raport me shtrenjtimin e çmimeve u rrit në 2.3 për qind muajin e shkuar nga 1.999 për qind janarin e 2025-s. Treguesi mbeti në të njëjtin nivel me dhjetorin, muaj në të cilin çmimet rriten si pasojë e festave të fund-vitit.

Edison Zaçaj, pedagog ekonomie shprehet: “Normalisht prisnim një inflacion më të ulët. Kjo për shkak se në dhjetor shumëkush shpenzon më shumë për shkak të festave të fundvitit dhe në atë periudhë inflacioni është rrjedhimisht më i lartë. Shpresojmë që inflacioni të vijë duke u ulur.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar, gjithashtu ushqimet dhe pijet u shtrenjtuan. Inflacioni te kjo kategori produktesh u rrit në 1.8 për qind nga 1.6 për qind në dhjetor. Megjithatë treguesi rezulton plotë 1 për qind.

“Në vend që rrisin shpejtësinë e qarkullimit të mallit, këta rrisin në mënyrë fiktive çmimin e mallit. Pra ne bëjmë çdo gjë gabim. Po nuk i dite këto ligje themelore të kapitalizmit, ekonomia nuk ecën para”, thotë një qytetar.
 
Rrjedhimisht në tregje ka më pak shitje. Një shitës shprehet: “Po njerëzit të varfër janë, po edhe çmimet janë rritur. Njerëzit nuk kanë lekë që të blejnë. Rroga të ulëta e papunësi".

Meqenëse çmimet janë më të larta, individët do të shpenzojnë më pak. Mjetet monetare të tyre janë zhvlerësuar në raport me një vit më parë”, thotë Edison Zaçaj,

Në rritjen e inflacionit në janar, ndikim të konsiderueshëm dhanë edhe qiratë. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se treguesi te qiradhënia u rrit në 4.4 për qind nga 0.9 për qind në janarin e 2025-s. Megjithatë treguesi u ul lehtë në krahasim me fundvitin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos