Kreditë me probleme rriten sërish, më shumë individë dhe biznese nuk i paguan në kohë

Nga A2 CNN
11 Mars 2024, 19:15 | Ekonomi

Pasi e mbyllën vitin 2023 në nivelin më të ulët, huatë me probleme i janë rikthyer sërish rritjes në muajin janar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se më shumë niveli i këtij treguesit ndaj totalit të kredive arriti në 4.88%  këtë fillim vit duke shënuar një rritje me 0.14% krahasuar me muajin dhjetor 2023.

Megjithatë, raporti i kredive me probleme vazhdon të jetë në nivele më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur shënonte nivelin 5.1%. Në vlerë totali i huave të papaguara deri në fund të muajit janar përllogaritet në vlerën 34,8 miliardë lekë, nga 36.2 miliardë lekë krahasuar me janar 2023.

Një ndikim të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të raportit të kredive me probleme besohet se e ka dhënë edhe rritja e vogël e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, por edhe forcimi i Lekut në kursin e këmbimit.

Pavarësisht një rritje të lehtë të këtij treguesi, është dhe shtimi i kujdesit të sistemit bankar në miratimin e kredive të reja që nuk e lejon këtë tregues të arrijë nivelin e një viti më parë.

Përballë kredive të papaguara në kohë, Banka e Shqipërisë po përgatit një rregullore e cila parashikon shtrëngim të kushteve të dhënies së huave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos