"Qeveria të ndërhyjë", rënia e besimit në ekonomi rrezikon një cikël negativ për vendin

Nga Mario Brakaj
5 Maj 2026, 14:45 | Ekonomi

Rënia e besimit në ekonomi nga qytetarët dhe bizneset edhe në prill rrezikon ta fusë ekonominë në një cikël rënës.

Pesimizmi i treguar veçanërisht gjatë dy muajve të pranverës, tregues i stepjes së njerëzve për të shpenzuar dhe sipërmarrjeve për të investuar mund të krijojë një reaksion zinxhir negativ, efektet e të cilit mund të shtrihen në vijim.

Suzana Guxholli, eksperte për ekonominë, u shpreh për A2: “Besimi në ekonomi është një nga treguesit kryesorë që tregon se si politikat dhe reformat e ndërmarra janë reflektuar te qytetari dhe biznesit. Rënia e këtij treguesi shfaq haptazi krizën në të cilën gjendemi, që shohim dhe ndiejmë përditë”.

Skepticizmi ndaj gjendjes financiare nuk është një fenomen vetëm vendas. Me tensionet në Lindjen e Mesme që vijojnë dhe krizën e çmimeve ende “nëpër këmbë” edhe qytetarët e bizneset në vendet europiane janë më pak optimiste.

Por, ajo që e dallon Shqipërinë nga shtetet e tjera është hendeku i madh që krijohet kaq shpejt mes optimizmit dhe pesimizmit. 

“Tregu është ai që i jep drejtim ecurive ekonomike dhe njëkohësisht gjendjes sonë financiare... xhepave tanë apo të bizneseve”, u shpreh Guxholli.

Demoralizimi i qytetarëve dhe bizneseve thonë ekspertët mund të zhvlerësojë edhe më tej rritjen ekonomike të vendit, e cila këtë vit përllogaritet në jo më shumë se 3.4 për qind.

“Kjo pasi ne kemi një ekonomi të pastrukturuar, Kaosi fiskal që ne kemi krijuar prej vitesh na krijon edhe këto lëkundje që shkojnë përtej logjikës ekonomike”, theksoi Guxholli.

Teksa paralajmërojnë se humbja e besimit të ekonomi mund të jetë një fenomen në vazhdim, ekspertë të ekonomisë kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë në drejtim të mbrojtjes së qytetarëve dhe bizneseve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos