Kryesisht grurë e misër, Serbia "na mbajti” me bukë, po blejmë më shumë drithë nga jashtë

Nga Marjo Brakaj
5 Mars 2024, 23:19 | Ekonomi

Kryesisht grurë e misër, për të bërë bukë apo makarona... gjatë vitit të shkuar u importuan më shumë se 287 mijë ton drithë. Sasia e drithit të hyrë gjatë 2023-shit u zgjerua me më shumë se 45 mijë tonë në raport me 2022-shit.

Rritja e importeve vjen për shkak të mungesës së prodhimit vendas. Kemi reforma ,, por jo akte konkrete. Nuk ka financime për bujqësinë”, tha pedagogu i Bujqësisë, Zef Gjeta.

Ndryshimet në gjeografinë e tregtisë së jashtme, reduktimi i kostove të transportit dhe forcimi i lekut bënë që çmimi i drithit të importuar të ishte më i ulët. Ndonëse u importuan gati 50 mijë tonë më shumë grurë e misër, vlera e paguar për blerjen e tyre ra në më pak se 10 miliardë lekë nga mbi 11 miliardë gjatë 2022-shit.

Tani drithi po vjen kryesisht nga Serbia. Më herët vinte nga Rusia e Rumania. Kostot rrjedhimisht janë më të ulëta”, u shpreh Andi Haxhiymeri, administrator i një kompanie bloje.

Pavarësisht se në nivele të papërfillshme, Shqipëria arriti vitin e shkuar të eksportonte 519 tonë drithë me vlerë 29 milionë lekë. Në raport me 2022-shit, vit në të cili prodhimi vendas rezultoi i mbarë, eksportet janë tkurrur me mbi 6 herë.

Kudo në botë prodhimi i grurit subvencionohet. Në Serbi, Kanada, Francë etj, prodhimi i grurit subvencionohet. Nuk mundet fermeri të marrë përsipër të gjithë procesin”, shtoi Haxhiymeri.

Shteti ynë ka dështuar në drejtim të subvencioneve, ndaj jemi në këtë gjendje ku nuk prodhojmë, por importojmë”, nënvizoi Gjeta.

Përfshirë arat, kopshtet, livadhet, lëndinat, kullotat apo moçalet, në Shqipëri ka rreth 875 mijë hektarë tokë. Nga kjo, hapësira që përmban humus e lëndë minerale, thënë ndryshe toka bujqësore, vlerësohet në gati 700 mijë hektarë.

Por nga viti në vit, sipërfaqja e mbjellë me grurë, misër, tërshërë, elb apo kultura të tjera bujqësore po rrudhet, ndërsa  po zgjerohet hapësira e tokave të djerra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos