Kur do hapen bastet sportive? Ligji dy vite i miratuar, të rinjtë arrestohen dhe buxheti humb para

Nga Marjo Brakaj
5 Dhjetor 2025, 15:22 | Ekonomi

Gati dy vite nga dhënia e “dritës jeshile” në Parlament, bastet sportive ende nuk janë hapur! Me policinë që nga njëra anë thuajse çdo ditë njofton për arrestime të atyre që provojnë fatin dhe aktivitetin që vijon në paligjshmëri... të gjithë po humbin. Shteti nuk po arkëton atë që i takon ndërsa ata që luajnë janë tërësisht të pambrojtur.

“Mendoj se të gjitha palët janë të humbura në këtë situatë. Bizneset që kanë shprehur interes për të hyrë në tregun e licencuar të basteve kanë mbetur pezull, pa një afat të qartë dhe pa mundësi planifikimi. Nga ana tjetër, qytetarët që luajnë po e bëjnë këtë në mënyrë tërësisht informale, pa asnjë mekanizëm mbrojtës, duke rritur rrezikun për abuzime, humbje të mëdha dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme. Ndërkohë, edhe shteti është humbësi i tretë, sepse nuk po arrin të grumbullojë taksat dhe të ardhurat që do të vinin nga një treg i rregulluar dhe i monitoruar”, tha për A2 CNN Artur Ribaj, pedagog, ekspert i sistemit bankar.

Nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit konfirmohet që deri më tani nuk ka ende asnjë kompani të licencuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie, ndërsa ministria e Financave nde nuk ka plotësuar të gjitha aktet nën-ligjore. “Derisa të plotësohen kriteret e licencimit; derisa të licencohen kompanitë që do të ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit... nuk mund të themi se bastet sportive aktualisht janë të ligjshme”, tha Ribaj.

Me ndryshimet e miratuara ligjore, për të luajtur baste sportive “online”, qytetarët do të duhet të regjistrohen me anë të kartës së tyre të idenitetit në faqet web ose aplikacionet e licencuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Gjithashtu do të krijohet një regjistër elektronik që do të ndalojë të luajnë ata që kanë varësi apo probleme të tjera me lojërat e fatit. E në një kohë që bastet sportive, tashmë vetëm “online” pritet të bëhen të ligjshme, numri i lojtarëve të varur nga lojërat e fatit po zgjerohet.

“Situata u bë më e keqe se para se bastet sportive ishin fizike dhe lojtarët duhet të shkonin fizikisht. Në këtë 5-vjeçar teksa pikat e basteve fizike ishin të mbyllura, u shtuan baste online. Nëse më parë ne kishim 5 mijë pika bastesh, gjatë këtyre 5 viteve, numri u barazua me popullsinë. Dikush që kishte varësi e thelloi atë dhe të tjerë të varur u shtuan”, tha Ribaj.

Pesë vite nga “Fundi i Marrëzisë”, nismës së qeverisë që uli qepenat e mbi 2 mijë pikave të basteve në gjithë vendi.... pas më shumë se një viti diskutimesh, Parlamenti i dha “dritën jeshile”  shkurtin e vitit të shkuar aktit final të rikthimit të lojërave sportive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos