“Kur vjen autobusi?” Nga tetori përgjigjja në telefon, GPS në të gjitha linjat urbane

Nga A2 CNN
11 Gusht 2026, 15:39 | Ekonomi

“Sa do të vonohet vonohet? Kur vjen tjetri? A është plot?”. Të gjitha këto pyetje, më shumë se të zakonshme veçanërisht për banorët e Tiranës do të marrin përgjigje në “kohë rekord” që nga tetori.

Linjat e transportit urban janë të detyruara që deri më 30 shtator të instalojnë në autobusë e tyre GPS i cili do të tregojë në aplikacionet që udhëtarët do mund të shkakrkojnë vendndodhjen apo shpejtësinë e lëvizjes.

Sinkron Dashnor Memaj, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, u shpreh: “Ka qenë një problematikë e cila sot është në prag zgjidhjeje. Me vendosjen e këtij sistemi, qytetarët do të kenë mundësi të marrin informacion të saktë dhe në kohë reale për lëvizjen e mjeteve. Kjo do t’i japë fund pritjeve të panevojshme në stacione dhe do t’i mundësojë udhëtarëve të planifikojnë më mirë lëvizjen e tyre”.

Detyrimin për të instaluar GPS do ta kenë edhe linjat ndërqytetase, të cilat do të monitorohen me qëllim respektimin e orareve të nisjes dhe shpejtësisë së lëvizjes: “Do të ngrihet një qendër monitorimi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të ketë një rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e shërbimit. Përmes këtij sistemi do të mund të identifikohen problematikat në kohë, vonesat apo devijimet dhe të ndërhyhet për përmirësimin e funksionimit të linjave”.

Ndërkohë, nga 1 Janar 2027 nuk do të ketë bileta të printuara që merren nga fatorinot sapo ju hipni në autobusët e linjës në Tiranë dhe në rrethe. Qeveria ka kërkuar dhe do të zbatojë një sistem të ri biletimi, që është i ngjashëm me këtë proces në shumicën e vendeve të Bashkimit Europian.

Dashnor Memaj, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, tha për A2CNN: “Projekti do të formalizojë tregun e transportit, do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit, duke larguar informalitetin në treg, ulur kostot dhe rritur konkurrencën në të mirë të qytetarëve shqiptarë. I gjithë procesi do të kryhet online, ku tashmë të gjithë qytetaret dhe bizneset janë të ndërgjegjshëm për efektet pozitive që vijnë nga kjo mënyrë ofrimi shërbimi”.

Platforma e-Transport ofrohet falas për 520 linja, 242 operatorë dhe 2 mijë e 282 mjete. Platforma e-Transport do të shërbejë si kontrollor të fluksit për më shumë se 50 milionë pasagjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos