Të premten në mesnatë mbyllen aplikimet e fermerëve për të përfituar fonde nga skema kombëtare në bujqësi.
Janë në total rreth 4.4 miliardë lekë që do të shpërndahen për sektorin e bujqësisë, fond që pritet të rritet në vijim gjatë këtij viti, në rast se do të ketë kërkesa nga fermerët dhe blegtorët. Një formulë që qeveria e ndoqi dhe vitin e kaluar.
Por sa janë aplikimet deri më tani?
Janë mbi 66 mijë aplikime të bëra deri më tani, por pritshmëria është që këtë vit numri të jetë rreth 67 mijë deri në fund të procesit, i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Mësohet se numri më i madh i aplikimeve janë nga fermerë në qarqet e Fierit, Korçës, Beratit dhe Elbasanit.
Por sa fonde përfiton mesatarisht një fermer për të kuptuar edhe ndihmën që jep qeveria për sektorin e bujqësisë?
I referohemi fondit fillestar prej 4.4 miliardë lekë, për rreth 67 mijë aplikues, i bie mbi 65 mijë lekë për fermer ose 660 euro. Por le të theksojmë që fondi në ndihmë të fermerëve mund të rritet gjatë vitit, në bazë të kërkesave, siç ndodhi edhe në 2024-ën, që u vlerësua në total 5.2 miliard lekë. Në këtë rast, ndihma do të rritej në mbi 770 euro për fermer.
Por skema kombëtare në bujqësi nuk është programi i vetëm në ndihmë të këtij sektori.
Kjo pasi fermerët dhe blegtorët mund të përfitojnë edhe nga garancia sovrane për kredi apo dhe programi i kredive të buta.
(A2 Televizion)