Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka njoftuar një rritje prej 3% të numrit të kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore për vitin 2024, një tregues pozitiv për qëndrueshmërinë dhe forcimin e sistemit të sigurimeve në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i kontribuuesve ka arritur në 805,416 persona, që përfaqëson një shtesë prej 22,164 individësh krahasuar me vitin 2023.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Administrativ të ISSH-së, ku u shqyrtua dhe u miratua rezultati financiar i vitit 2024, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, vlerësoi këtë rritje si një arritje të rëndësishme drejt përmirësimit të stabilitetit financiar të sistemit.
“Ky është një hap pozitiv në përpjekjet tona për të rritur nivelin e përfshirjes në skemë. Numri më i lartë i kontribuesve do të ndihmojë në fuqizimin e fondeve dhe në garantimin e stabilitetit afatgjatë të sistemit të sigurimeve shoqërore,” deklaroi Manjani.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, e cilësoi këtë rritje si rezultat të një administrimi të mirë dhe të disiplinuar të skemës.
“Ky është një sinjal i mirë për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit. Rritja e kontribuesve tregon për angazhimin dhe punën e vazhdueshme të administratës sonë për të menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme skemën,” u shpreh Hado. (A2 Televizion)