Leku po vijon të forcohet, ndërsa euro ka prekur nivelin më të ulët historik. Valuta europiane po këmbehet për mesatarisht 95.49 lekë, nga 99.32 lekë në të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë apo gati 103 lekë në prill 2024. Edhe më e fortë rezulton rënia nëse kthehemi pas në kohë, në vitin 2022, kur euro këmbehej mesatarisht për 122.13 lekë.
“Rënia e euros reflekton një ofertë të shtuar në treg, e ndikuar kryesisht nga prurjet nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja. Në të njëjtën kohë, kërkesa për valutë mbetet më e përmbajtur, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në kursin e këmbimit”, tha Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Këmbimit Valutor.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se që nga fillimi i vitit, euro është zhvlerësuar gati me 1 lek, vlerë kjo në dukje e papërfillshme, por domethënëse për ecurinë e valutës europiane.
“Edhe pse ndryshimi në shifra mund të duket i vogël në periudha të shkurtra, ai tregon një trend të qartë në afat më të gjatë. Kursi është ndikuar nga faktorë strukturorë që nuk pritet të ndryshojnë menjëherë”, tha Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Këmbimit Valutor.
Bashkë me euron po zhvlerësohen edhe valutat e tjera kryesore në vend. Dollari amerikan po këmbehet mesatarisht për 81.65 lekë, paundi britanik për 110.24 lekë, ndërsa franga zvicerane për vetëm 104 lekë.
“Dobësimi i valutave të huaja është i përgjithshëm dhe lidhet me forcimin e monedhës vendase. Ky fenomen krijon avantazhe për konsumatorët, por sjell sfida për eksportuesit dhe sektorët që varen nga të ardhurat në valutë”, tha Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Këmbimit Valutor.
Këtë vit, Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330–450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. (A2 Televizion)