Në totalin e energjisë së prodhuar në 8 mujorin e parë të vitit fotovoltaikët kanë rritur ndikimin e tyre. Energjia e prodhuar nga këto centrale diellore, arriti në 334 mijë mWh në periudhën janar-gusht 2024, shkruan A2.
Ndonëse në raport me energjinë totale të prodhuar në vend kjo sasi është tejet modeste, ajo paraqet rëndësi në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, duke qenë se aktualisht vendi ynë është i varur nga burimet hidrike.
Pesha e energjisë diellore përbën 6.2% të sasisë së prodhuar nga të gjitha burimet gjeneruese që janë në funksion.
Kjo është një rritje e konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, ku nga centralet fotovoltaike u prodhua rreth 80 mijë mWh ndërsa në 2022 ky prodhim qëndronte në rreth 50 mijë mWh, raporton A2.
Kjo rritje i atribuohet veçanërisht hyrjes në prodhim të centralit diellor të Karavastasë, që ka gjeneruar dhe pjesën dërrmuese të energjisë. I cili ka prodhuar për këtë periudhë rreth 196 mijë mWh, ndërsa ai i digës së Qyrsait rreth 5 mijë mWh, zbulon A2.
Edhe energjia e injektuar në rrejt nga subjektet që instalojnë impiante fotovoltaikë për vetëkonsum dhe operojnë në treg të lirë, ka ardhur në rritje. (A2 Televizion)