Një euro e zhvlerësuar po dëmton eksportet por nga ana tjetër importet duket të kenë përfituar edhe më shumë në 2024. Mallrat që Shqipëria po blenë nga tregjet e huaja kanë regjistruar çmimet më të ulëta në periudhën janar-qershor 2024. Të dhënat që ofron INSTAT tregojnë importet regjistruan indeksin më të ulët të çmimeve në dy vitet e fundit, saktësisht në tremujorin e dytë në 108.3%.
“Fakti që çmimet po shkojnë drejt një ankorimi pavarësisht se janë në rritje, janë diçka e pritshme se po hyjmë ngadalë në vitin e dytë të kësaj krize të energjisë dhe lëndës së parë. Po shënojmë trende të forcimit të lekut dhe dobësimin e monedhës europiane. Por pavarësisht dobësimit importet janë gjithnjë e më të shtrenjta. Tër kosto dhe situata makro ndikojnë në këto shifra”, thotë për A2 CNN Igli Tola, pedagog, ekspert ekonomie.
Duke ecur paralelisht edhe me rënien e euros, që deri në 6 muaj u zhvlerësua me rreth 5 pikë përqindje, të dhënat tregojnë se janë pikërisht kategoritë e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese ato të cilat kanë ndikuar më shumë në rënien e çmimeve.
Brenda këtij grupi edhe ushqimet e pijet shfaqin një rënie të çmimeve.
Përballë produkteve të importuara, ato të prodhuara në vend ende janë të shtrenjta. Treguesi i cili mat çmimet e produkteve vendase në hallkën e parë të prodhimit, arriti në harkun kohor prill-qershor 129.3%.
Kur ky grup zë gati gjysmën e shpenzimeve familjare, situata ndihet akoma e rënduar.
“Ato sektorë të cilët përbëjnë konsumin e përditshëm dhe furnizojnë tregjet, ato ndikohen drejtpërsëdrejti që ndikohen nga situata inflacioniste dhe reflektohen në çmimet e konsumatorit final”, thotë Tola.
Janë energjia, industria nxjerrëse por dhe ajo përpunuese që ndikuan në çmimet e larta në prodhimin vendas. Teksa ushqimet dhe pijet si nënkategori vijuan rritjen e mëtejshme. (A2 Televizion)