Ministri ndan lajmin e mirë në “Terminal”: Ja kur hapen fondet IPARD 3

Nga A2 CNN
26 Prill 2026, 21:18 | Ekonomi

Ministri i Financave, Petrit Malaj, shprehu besimin se deri në fundin e këtij viti, fondet e IPARD 3 do të hapen.

Malaj e bëri deklaratën në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.

“Qeveria sapo dorëzoi në Komisionin Europian edhe paketën për IPARD 3, paketë e cila është prezantuar tashmë atje. Presim sugjerimet që mund të kenë ata. Do të ketë edhe një grup besoj nga Komisioni Europian që do të vijnë dhe do të bëjnë një vlerësim të të gjitha strukturave që do të merren me menaxhimin e këtyre fondeve. Jemi besimplotë që deri në fund të këtij viti, IPARD 3 do të hapet”, tha ministri.

“Bujqësia ka një peshë të rëndësishme në prodhimin e brendshëm bruto, por edhe në punësim sepse rreth 40% e popullatës është e angazhuar në sektorin e bujqësisë. Qeveria ka rritur mbështetjen e këtij sektori, duke nisur që me skemën e subvencioneve, skemën e granteve, garancinë sovrane që u ofron fermerëve kredi të buta, prezantuam skemën e kompensimit të TVSH-së në bujqësi, është e ngjashme me skemën e Greqisë dhe Francës… Po t’i mbledhësh të gjitha bashkë, kemi një mbështetje këtë vit me rreth 100 milionë euro që i shkon sektorit të bujqësisë”, shtoi Petrit Malaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos