Ndërtim i vendbanimeve të parrezikshme, Shqipëria do të shpenzojë mbi 14 miliardë lekë për sigurinë

Nga Marjo Brakaj
7 Korrik 2024, 17:43 | Ekonomi

Për të parandaluar vrasjet, trafikimin e qenieve njerëzore e madje diskriminimin, me qëllim kryesor “ndërtimin të qyteteve dhe vendbanimeve të parrezikshme”, Shqipëria do të shpenzojë mbi 14 miliardë lekë apo 134 milionë euro në dy vitet e ardhshme.

Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik planin e veprimit 2024-2024 për sigurinë në komunitet ku ka identifikuar edhe objektivat që pritet të arrihen.

“Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe nxitja e mirëqenies për të gjithë njerëzit e çdo moshe; 3.6 të përgjysmohet numri global i vdekjeve dhe i plagosjeve nga aksidentet rrugore. Të eliminohen të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave në sferën publike dhe private, përfshirë trafikimin dhe shfrytëzimin seksual dhe llojet e tjera të shfrytëzimit.”

Pjesa më e madhe e fondit në dispozicion, mbi 12.6 miliardë lekë pritet të përdoren për rritjen e parametrave të sigurisë. Pjesa tjetër e parave do të shpenzohen për ndërveprim me komunitetin dhe reformimin e shërbimit policor.

“Për periudhën 2024-2025, buxheti i shtetit pritet të financojë 14.35 miliardë lekë ose 99% të kostove indikative totale të planit për periudhën 2024-2026, ndërsa financimi i huaj është 209 milionë lekë ose 1 për qind e kostove indikative. Hendeku financiar për këtë plan veprimi është në vlerën 15 milionë lekë.”

Plani i veprimit përbën dokumentin më të rëndësishëm politik dhe strategjik të vendit në fushën e sigurisë publike. AI vjen edhe si detyrim i përmbushjes së angazhimeve të Shqipërisë në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos