Thatësira, zjarret, përmbytjet apo tërmetet mund të godasin fort zhvillimin ekonomik të vendit, duke prekur thuajse të gjithë sektorët. Për të rritur mbrojtjen nga ndryshimet klimatike dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e sektorit financiar, Shqipëria përpiqet të orientohet drejt “Taksonomisë së Gjelbër”. Kjo e fundit përcakton çfarë konsiderohet investim i qëndrueshëm.
“Në kuadër të Programit të Sistemeve Financiare të Gjelbra të BEI-t, synojmë të krijojmë një mjedis financiar të favorshëm që do të kontribuojë dhe mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për kalimin në një ekonomi të gjelbër, do të ndihmojë në arritjen e objektivave të saj ambiciozë për reduktimin e emetimeve, do të mbështesë masat e përshtatjes dhe të forcojë qëndrueshmërinë e vendit”, tha Natasha Ahmetaj, zëvendësguvernatore e dytë e Bankës së Shqipërisë.
Zbatimi i politikave të gjelbra është me rëndësi edhe për anëtarësimin në BE.
“Është një sistem klasifikimi që tregon se cilat opsione investimi janë të qëndrueshme në aspektin mjedisor. Zhvillimi i Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër është pjesë e proceseve integruese në të cilat Banka e Shqipërisë është përfshirë në kuadrin e detyrimeve që burojnë nga Kapitulli 9 – Shërbimet Financiare”, u shpreh Natasha.
Për t’u mbrojtur nga ndryshimet klimatike, bankat duhet të shtojnë kapacitetet për menaxhimin e tyre dhe të financojnë më shumë projekte të energjisë së gjelbër, siç është energjia e rinovueshme. Objektivat kryesore të ekonomisë së gjelbër janë reduktimi i emetimeve të CO2 dhe përdorimi më i kujdesshëm i burimeve natyrore. (A2 Televizion)