Nga fillimi i vitit e deri në fund të shtatorit pati mbi 6.5 milionë dalje të shqiptarëve që preferuan t’i kalonin jashtë pushimet. Sigurisht që pjesa më e madhe e tyre më shumë se një herë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në krahasim me janar-shtatorin 2024, daljet nga vendi për pushime janë zgjeruar me 9.4 për qind.
“Ka një tendencë gjithnjë e më të dukshme të shqiptarëve për të kaluar pushimet jashtë vendit. Shkak janë paketat më të lira dhe shërbimet ‘all inclusive’”, tha për A2 CNN, operatori turistik Elvis Kukeli.
“Në ndryshim nga një pjesë e turistëve që hyjnë në vend, ne që jetojmë këtu e ndiejmë rritjen e çmimeve ndaj edhe shpesh largohemi jashtë pasi na leverdis”, tha për A2 CNN, operatori turistik Ferjold Ozuni.
Po ku i kaluan pushimet shqiptarët këtë verë?

“Destinacionet më të preferuara këtë verë kanë qenë Turqia dhe Greqia, sidomos zonat bregdetare ku shqiptarët gjejnë oferta të paketuara me fluturim, hotel dhe ushqim të përfshirë. Ka pasur interes të shtuar edhe për Malin e Zi dhe Italinë, ndërsa për udhëtime më të gjata janë zgjedhur Dubai dhe Egjipti. Në thelb, shqiptarët kërkojnë komoditet dhe çmime të leverdishme, gjë që shpesh e gjejnë më shumë jashtë se brenda vendit”, zbuloi Kukeli.
Çdo shqiptar që i kaloi pushimet jashtë vendit në fillim të vitit shpenzoi mesatarisht 297 euro. Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet rezultojnë të jenë rritur me 15 euro. Kjo edhe si pasojë e rritjes së çmimeve të paketave.

“Rritja e çmimeve është reflektuar edhe në paketat turistike. Nëse vitin e kaluar një pushim jashtë vendit mund të gjendej me më pak kosto, këtë vit mesatarisht shqiptarët kanë shpenzuar më shumë – rreth 15 euro më tepër për person. Megjithatë, krahasuar me çmimet brenda vendit, shumë prej tyre e shohin ende më të leverdishme të udhëtojnë jashtë, ku shërbimi është më i plotë dhe i garantuar”, tha për A2 CNN, operatorja turistike Jetmira Hoxha.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në harkun e muajve janar-shtator në vend hynë mbi 10.2 milionë të huaj, rreth 3.7 milionë më tepër se shqiptarët që dolën jashtë. (A2 Televizion)
