Siguria ushqimore është testi i radhës që Shqipëria duhet të kalojë. Kjo si përpjekje për të fituar besimin e konsumatorëve e njëherazi për të marrë aprovimin e institucioneve të Bashkimit Europian. Në Ditën Botërore të Ushqimit, vendi gjendet larg këtij objektivi.
“Ne kemi nevojë të krijojmë infrastrukturë të besueshme për konsumatorin tonë. Dhe për aq kohë sa flitet për skandale, ky objektiv ende nuk është arritur. Trupa e inspektorëve gjithashtu nuk ofron garanci. Nuk është fort e besueshme”, tha për A2 CNN, Sokol Stafa, ekspert i certifikimit të produkteve ushqimore.
Bashkimi Evropian ende nuk lejon importin e produkteve të bulmetit dhe mishit nga Shqipëria.
“Për të fituar besimin e tregut dhe për t’u përshtatur me standardet e BE-së, na duhet një rrjet i fortë laboratorik, sistemi i gjurmueshmërisë së produktit dhe trajnim i vazhdueshëm i inspektorëve. Pa transparencë në kontrolle, protokolle të qarta dhe masa të ndëshkimit për shkelësit, edhe përpjekjet më të mira do të dështojnë konsumatori duhet të dijë se ai produkt që blen është i sigurt. Kjo kërkon vullnet politik, investim dhe bashkëpunim të ngushtë midis sektorit shtetëror, prodhuesve dhe palëve akterë ndërkombëtare.”
Për tregtarët vendas, produktet janë të sigurta. “Gjithçka që ne kemi është e sigurt për konsum. Qytetarët të blejnë”, tha për A2 CNN, një tregtar mishi.
Megjithatë nga çdokush pranohet se forcimi i sistemit kombëtar të kontrollit agro-ushqimor është një përgjegjësi e përbashkët që përfshin palë të ndryshme të interesit, duke përfshirë organet qeveritare, industrinë ushqimore dhe konsumatorët.
“Kemi nevojë për vendimmarrje dhe transparencë që konsumatorët të kenë besim tek ajo që blejnë. Konsumatorët kanë nevojë për më shumë informacion. Shqipëria si kandidate për në BE ka një rol të rëndësishëm për të zbatuar standardet e BE, që konsumatorët shqiptarë të gëzojnë të njëjtën mbrojtje dhe nivel besimi ashtu sikurse qytetarët e BE”, tha për A2 CNN, Hasan Stafa nga zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Konsumatorët shqiptarë kanë nevojë të kenë transparencë më të lartë dhe besim tek produktet që konsumojnë. Kjo në një kohë që nga mandarinat, specat, domatet e pjeshkët e prodhuara në vend rezultojnë me pesticide në pikat kufitare të shteteve të tjera.
“Duhet të ndryshojmë tërësisht mendësi dhe të bashkëpunojmë pasi përndryshe nuk mund të kemi sukses.”
Në pritje të publikimit të raportit të progresit të Komisionit Evropian, burime për A2CNN pohojnë se Shqipëria ka marrë një notë “jo kaluese” në kapitullin 12, “Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare.
Sipas raportit, “Shqipëria ka një nivel përgatitjeje politikash në fushën e sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare. Por, nuk është bërë progres gjatë periudhës raportuese. Nevojiten përpjekje të konsiderueshme për të harmonizuar legjislacionin me ‘acquis’ të BE-së dhe t’a zbatojë atë. (A2 Televizion)