Pas një viti të mbarë, 2024-a do të jetë “prova e zjarrit” që ajo që ndodhi me turizmin të mos kthehet në efekt “bumerang”. Për të shmangur këtë rrezik të ri, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ri-hodhi në tryezë planet e vjetra për “turizëm elitar”.
“Që të mos kërkojmë rritje sasiore, por rritje cilësore. Të mos kërkojmë thjesht volume, por vlera.”
Teksa shprehu kënaqësinë se “nami i mirë na ka dalë dhe kureshtja do të vazhdojë”, Kumbaro bëri një mozaik të gjeografisë mbi origjinën e atyre që e vizituan Shqipërinë vitin e sapo lënë pas.
“Kemi pasur vizitorë nga Australia, nga Zelanda e Re, nga Arabia saudite, nga Kina, Japonia, Koreja e Jugut, India, Brazili, Argjentina, Kili, SHBA, Kanadaja, Egjipti, Maroku, Gana, Nigeria e kështu me radhë.”
“Jemi të ndërgjegjshëm që një pjesë e vizitorëve nuk e matim dot”, pranoi Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit teksa tregoi edhe se si do të luftohet informaliteti në këtë sektor gjatë këtij viti.
“Jemi duke punuar për një sistem të dedikuar të statistikave për turizmin, që është SAT, një metodologji ndërkombëtare.”
Nga konferenca ku bëri bilancin e vitit të shkuar dhe shpalosi pritshmëritë nga 2024, Kumbaro tregoi edhe mbi masat që do të ndërmerren në drejtim të mjedisit.
“Jemi duke bashkëpunuar me AKSHI-n për të pasur një sistem kombëtar ku do të bëhet menaxhimi i të gjithë territorit.”
Javën e ardhshme pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave ligji i ri për truizmin, i cili parashikon më shumë masa dhe objektiva për zhvillimin e turizmit. (A2 Televizion)