Shqipëria po humbet mijëra nxënës dhe qindra mësues çdo vit. Nga 423 176 në vitin mësimor 2018-2019, numri i të regjistruarve në ciklin 9-vjeçar dhe atë të mesëm ka rënë në rreth 345 mijë.
Në harkun e 7 viteve vendi ka humbur më shumë se 78 mijë nxënës, shkruan A2.
Arsimi është një nga sukseset më të mëdha të një shteti social. Ajo që dikur ka qenë privilegj i një pakice është bërë një e drejtë dhe mundësi e gati të gjithëve. Por ky i fundit po braktiset. Nga më shumë se 306 mijë në vitin mësimor 2018-2019, numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare ka rënë në më pak se 250 mijë. Janë mbi 57 mijë fëmijë që u mungojnë shkollave.
Isa Halilaj, zëvendëspresidenti i Sindikatës së Mësuesve, u shpreh: “Si pasojë e emigracionit të familjeve, nevojës që shumë të rinj të punojnë edhe pa arritur moshën e duhur, apo përfshirjes së tyre në aktivitete të paligjshme, qindra të rinj braktisin arsimin profesional çdo vit. Kjo sjell një humbje të madhe të nxënësve që ndjekin programe zanatçie dhe, rrjedhimisht, pakëson edhe mundësinë për të pasur mësues të kualifikuar në të ardhmen. Situata po krijon boshllëqe në shkolla, duke vështirësuar mësimdhënien dhe duke rritur ngarkesën për stafin ekzistues”.
Si pasojë e emigracionit, nevojës për të punuar ndonëse pa arritur moshën apo nga përfshirja në aktivitete të paligjshme, qindra të rinj braktisin edhe arsimin profesional çdo vit. Nga mbi 18 mijë në 2018-n, numri i atyre që studiojnë për të marrë një zanat ka rënë në vetëm 16 mijë.
Rrjedhimisht, në vend po ka edhe më pak mësues. Nga mbi 37 mijë në vitin mësimor 2018-2019, numri i arsimtarëve ka rënë në më pak se 31 mijë.
“Rënia e numrit të mësuesve është po aq shqetësuese sa humbja e nxënësve. Nga mbi 37 mijë arsimtarë në vitin 2018-2019, sot kemi më pak se 31 mijë. Kjo situatë po krijon boshllëqe në klasa, duke rritur ngarkesën për mësuesit ekzistues dhe duke vënë në vështirësi ofrimin e një mësimi cilësor. Pa politika të qarta për rekrutimin dhe mbështetjen e mësuesve, shkollat do të përballen me sfida të mëtejshme në mbarë vendin, ndërsa cilësia e arsimit do të jetë në rrezik”, deklaroi Halilaj.
Me numrin e nxënësve dhe mësuesve që po pakësohet, e njëjta tendencë vërehet edhe tek shkollat. Nga mbi 1 mijë e 700 të tilla në 2014-n, numri ka rënë në 1 mijë e 363.
Sistemi i dijeve në Shqipëri po cenohet edhe në drejtim të cilësisë. Nota mestarë në provimet e maturës, ndonëse me luhatje nuk e kalon nivelin 7.5. Modeli që Shqipëria ndjek për arsimin është një kaos gati i organizuar me kopjime copa-copa dhe kurrikula që nuk mund të zbatohen dhe as nuk i vlejnë kushteve të zhvillimit të Shqipërisë, vlerësojnë ekspertët. Thuajse njëzëri, ata që kanë ndjeshmëri për dijen dhe i shqetëson perspektiva e errët e një arsimi defektoz, thonë se vendi ka nevojë për një “Plani B” për të rinjtë si alternativa e rrugës së pakrye “Planit A”. (A2 Televizion)