Paradoksi shqiptar, për të burgosurit shpenzohen 9 herë më shumë se për nxënësit

Nga Marjo Brakaj
8 Shtator 2025, 15:20 | Ekonomi

Nga veriu në jug, nga klasa e parë në të dymbëdhjetën... në emër të çdo nxënësi në vend shpenzohen 368 lekë në ditë. Duke përfshirë pagat e mësuesve, sanitareve, shpenzimet për libra, mjete kancelarike në klasa dhe gjithçka tjetër që prek mësimdhënien... për rreth 1 mijë e 300 shkollat e gjimnazet e vendit u vunë në dispozicion 45.7 miliardë lekë këtë vit.

Thënë ndryshe, për çdo një nga rreth 345 mijë të regjistruarit në arsim janë 132 mijë e 511 lekë në dispozicion në vit apo 11 mijë e 42 lekë në muaj. Kjo shifër është më pak se në Kosovë dhe 8 herë më e ulët se në vendet e Bashkimit Europian.

Paradoksi shqiptar, për të burgosurit shpenzohen 9 herë më

“Shumë herë kemi diskutuar për nevojën që shpenzimet për arsimin të rriten dhe të përqendrohen tek nxënësit. Krahasuar me vendet fqinje dhe standardet europiane, buxheti aktual nuk i mbulon plotësisht nevojat për një arsimin cilësor. Çdo nxënës duhet të ketë mundësi të barabarta për të mësuar dhe për të zhvilluar potencialin e tij, pa u kufizuar nga mungesa e burimeve financiare”, tha për A2 CNN, Mirela Karabina, ish-ministre teknike e Arsimit.

Shqipëria shpenzon shumë më shumë për një të dënuar me burg se për një nxënës në shkollat e vendit. Kosto ditore për çdo të dënuar, ku përfshihen shpenzimet për ushqim, siguria, trajnimi i stafit policor apo shërbimi shëndetësor dhe ai social përllogaritet në 3 mijë e 400 lekë, ndërsa për të paraburgosurit 2 mijë e 800 lekë. Këto shira janë 7 deri në 9 herë më të larta se ato që shkojnë për nxënësit.

Paradoksi shqiptar, për të burgosurit shpenzohen 9 herë më

“Nëse duam që nxënësit tanë të konkurrojnë me bashkëmoshatarët në rajon dhe Europë, investimi duhet të fokusohet jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në trajnimin e mësuesve dhe përmirësimin e programeve mësimore. Pa një buxhet më të lartë dhe të menaxhuar mirë, do të jetë e vështirë të ngrihemi në nivelin e standardeve europiane”, tha për A2 CNN, Qemal Çejku, ekspert i sistemit parauniversitar.

Me gjithë rritjen, buxheti për arsimin këtë vit është më pak se 2.4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto i cili për 2025-n parashikohet të arrijë në mbi 2.6 trilionë lekë.

Paradoksi shqiptar, për të burgosurit shpenzohen 9 herë më

“Kur shpenzimet për arsimin janë më pak se 2.4% e PBB-së, nuk mund të presim që cilësia e shkollave dhe e mësimdhënies të ndryshojë në mënyrë domethënëse. Kjo jo vetëm që e vendos Shqipërinë në fund të rajonit, por edhe i lë fëmijët tanë me mundësi të kufizuara për të përfituar nga arsimi. Rritja e investimeve nuk është luks, është domosdoshmëri për të siguruar një të ardhme më të mirë për vendin”, shtoi Çejku.

Dhe kjo është një ndër arsyet e largimeve masive nga vendi. Vëmendja duhet kthyer shpejt dhe me forcë ndaj zonave periferike thonë ekspertët. Kjo për të lehtësuar sadopak “faturën” e braktisjes së vendit.

“Shumë familje po e shohin emigrimin si zgjidhjen e vetme për t’u ofruar fëmijëve një arsim dhe një jetë më të mirë. Kjo është një kambanë alarmi për politikëbërësit. Duhet të investohet me prioritet në zonat periferike dhe rurale, aty ku mungesat janë më të mëdha. Nëse nuk rrisim financimin dhe nuk përmirësojmë kushtet e shkollave, do të vazhdojmë të humbasim jo vetëm nxënësit, por edhe të ardhmen e vendit”, thekskoi ish-ministrja Karabina.

Paradoksi shqiptar, për të burgosurit shpenzohen 9 herë më

Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të shpenzimeve për arsimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në rajon.... me më pak se 2.4 për qind. Kosova kryeson me 4.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto,  ndjekur nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos