Nga “Albbakër” te “superfosfati”, të gjitha ndërmarrjet shtetërore në proces likuidimi do të mbyllen

Nga Marjo Brakaj
2 Shkurt 2026, 15:08 | Ekonomi

Të gjitha ndërmarrjet tregtare me kapital shtetëror mbi 51 për qind që prej vitesh janë në proces likuidimi do të mbyllen përmes një ligji të posaçëm. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”. Baza e re ligjore synon që këto shoqëri të mbyllen përfundimisht dhe asetet e tyre të kalojnë tek shoqëri e vetme tregtare shtetërore.

“Në pronësinë dhe përgjegjësinë administruese të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit ndodhen aktualisht disa shoqëri tregtare me kapital shtetëror mbi 51 për qind, të cilat ndodhen prej një periudhe shumëvjeçare në proces likuidimi dhe nuk ushtrojnë më veprimtari ekonomike. Këto shoqëri vijojnë të ekzistojnë si subjekte juridike kryesisht për qëllime të administrimit të aseteve dhe trajtimit të detyrimeve të mbartura ndër vite, ndërkohë që procesi i likuidimit nuk është përmbyllur ende.”

Janë një sërë shoqërish shtetërore që ka mbi 20 vite që janë në proces likuidimi siç është rasti i Alb Bakër sh.a, pasi prej 2004-ës është miratuar prishja e shoqërisë, dhe emërimi i likuditatorit të parë. E njëjtë është situata edhe për ndërmarrjet shtetërore "Albkrom” sh.a., “Albminiera” sh.a., “Prodhim Mobilje” sh.a., “Petrol Alba” sh.a., “Duhan-Cigare” sh.a., “Albkontroll” sh.a. “Superfosfat Kurbin” sh.a dhe “Qendra e Regjistrimit të Aksioneve”.

“Detyrimet e mbartura prej tyre janë kryesisht detyrime shumë të vjetra, të krijuara në periudha të hershme, ku një pjesë e konsiderueshme rezultojnë të parashkruara, të pajustifikuara ose të regjistruara gabimisht në kontabilitet, pa dokumentacion mbështetës ose ndaj subjekteve që nuk ekzistojnë më juridikisht. Në disa raste, këto detyrime përbëjnë pjesën dërrmuese të borxhit të raportuar dhe nuk përfaqësojnë detyrime reale financiare.”

Por këto shoqëri edhe pse kanë shumë detyrime dhe prej vitesh janë nën likuidim, nga ana tjetër kanë shumë pasuri si portofol si troje, ndërtesa industriale, fabrika, depo, objekte teknike dhe galeri minerare, të shpërndara në disa rrethe të vendit, shkruan A2 CNN.

“Vlera kontabël e aseteve tejkalon ndjeshëm vlerën e detyrimeve reale të pagueshme, duke krijuar potencial të mjaftueshëm për shlyerjen e këtyre detyrimeve, nëse aseteve do t’u jepej mundësia të administroheshin dhe të disponoheshin në mënyrë të unifikuar dhe efektive”, thuhet në relacion.”

Aksionari i vetëm i shoqërisë do të jetë Ministria e Ekonomisë, ndërsa efekte financiare të themelimit të shoqërisë dhe kapitali fillestar do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Kjo shoqëri e re që do të krijohet do të administrojë të gjitha pasuritë/asetet e transferuara, do të ketë të drejtë ti shesë ose ti japë për privatizim sipas legjislacionit në fuqi me qëllim shlyerjen e kreditorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos